Presidenti i ri, vizitë zyrtare, takohet me Jahjagën, Thaçin dhe Mustafën


Presidenti i sapozgjedhur Bujar Nishani nisi vizitën e parë shtetërore në Kosovë, duke dhënë premtimin se si prioritet të mandatit të tij pesëvjeçar do të jetë shteti më i ri i Ballkanit. Nishani, së bashku me delegacionin që e shoqëronte, është pritur nga Presidentja kosovare, Aftifete Jahjaga. “Shqipëria ka mbështetur gjithmonë dhe do të vazhdojë të mbështesë të gjitha angazhimet e institucioneve të Kosovës: Presidentes, Parlamentit, qeverisë. Sot, dialogu është mjeti më efikas, më i suksesshëm dhe më europian i trajtimit të të gjitha problemeve që mund të ekzistojnë midis vendeve dhe midis shteteve të ndryshme. Natyrisht që e shkuara e Kosovës ka qenë një e shkuar e mbushur me vështirësi, me sakrifica, por e ardhmja e Kosovës, e ardhmja e çdo vendi dhe e ardhmja e rajonit të Ballkanit është ajo për të cilën të gjithë duhet të punojmë, të gjithë duhet të kontribuojmë”, tha Nishani në konferencën e përbashkët me homologen e saj. Ndërsa Presidentja kosovare u shpreh se “u pajtuam që kufiri mes dy vendeve tona të jetë një kufi europian, që bashkon njerëzit duke mundësuar një komunikim të lirshëm dhe duke pasur programe konkrete të shfrytëzimit të resurseve”. “Angazhohem para jush dhe popullit të Kosovës se gjatë mandatin tim, Kosova do jetë kryefjala e aktivitet tim, për njohjen e saj, si dhe mbështetja e saj për nismat rajonale dhe rrugën e integrimit euroatlantik. Mbetem i bindur se ju do gjeni kurajën për t’u ngritur mbi motivet politike për të gjetur zgjidhje për çështje të Kosovës”, tha Nishani në fjalën e tij para parlamentarëve kosovarë. Më tej ai theksoi se “mbështesim bisedimet teknike Kosovë-Serbi dhe vijat e kuqe të shtetit të Kosovës, marrëveshjet duhet të arrihen sa më shpejt që të sigurojmë pjesëmarrjen e Kosovës në çështjet rajonale. Shpreh qëndrimin e Shqipërisë se çështja e kufijve është e mbyllur dhe ne njohim kufijtë e Kosovës”.


Presidentët – Nishani, ditën e parë të vizitës, u takua me Presidenten Jahjaga, ku u bë pritja zyrtare


Kuvendi – Presidenti mbajti një fjalim në Kuvend, më pas u takua me Kryeparlamentarin Krasniqi


Kryeministri – Nishani dhe Thaçi vlerësuan bashkëpunimin dhe se prioritet është axhenda e integrimit dhe NATO


Mustafa – Nishani është takuar me kryetarin e LDK-së, drejtuesi komunal i Prishtinës. Ai foli në asamblenë e komunës