NDUE DEDAJ
Mund të duket se ka një paradoks në këtë titull, pasi pas pushimeve të verës i bie të fillohet nga puna. Pushimet na kanë çlodhur e dhënë energji të reja bregut të detit. Por a do të ndodhë kështu në shtator, me hyrjen e vjeshtës? Patjetër që do të ketë njerëz që do të punojnë, sipërmarrjet private, tregu masiv, po dhe nëpunësit, arsimtarët, mjekët e të tjerë “buxhetorë”, pavarësisht rendimentit të disave. Ama do të jetë një shumësi njerëzish që nuk do ta zërë punën me dorë, duke kaluar nga pushimet në pushime. E para gjë që thuhet në këtë rast, në ligjërimin tonë të dendur politik, është se nuk ka punë, njerëzit nuk kanë se ku të punojnë, qeveria nuk ka hapur vende të reja pune etj. Ka një të vërtetë të padiskutueshme në këtë pohim, duhej bërë shumë më shumë nga qeveria për punësimin e njerëzve. Opozita ka rrumbullakosur shifrën e një milion të papunëve. Mund të jenë kaq, mund të jenë më pak, por mund të jenë dhe më shumë. Pavarësisht këndvështrimeve politike të palëve, punësimi në shtet ka njëzet vjet që ka ardhur në rënie, duke u rritur punësimi në sektorin privat, por jo dhe në atë bujqësor, sa ky treg te ne ngjan gati irreal. Shqipëria ende nuk prodhon mjaftueshëm për popullatën e saj: drithëra, perime, fruta, bulmet, mish, konserva, le pastaj mallra për eksport. Nuk është e tepërt të thuhet se dhe në kohën e komunizmit, kur vendi ishte i mbyllur, maunet, krahas mineraleve, eksportonin dhe bostan e speca. Prej ‘92-shit janë zbatuar programe të nxitjes së punësimit, ndonëse nuk dimë të ketë një raport se cili ka qenë ndikimi i tyre kohë pas kohe. Sa shqiptarë kanë përfituar punësim përmes tyre. Mund të gjesh lehtësisht në internet strategjinë e punësimit të dikasterit përkatës për periudhën 2007-2013, që mund të thuhet se ka dhe një kontekst elektoral që në ngjizje, por vështirë të gjesh ndokund se sa shqiptarë janë të punësuar realisht dhe sa shkruhen si të tillë, bie fjala, të quajturit fermerë… pa ferma. Krahas kësaj ka dhe mungesë të dëshirës për të punuar, duke e kërkuar shkakun te të tjerët, shteti që nuk na siguron punë etj. Ky është një aspekt social-psikologjik që ka të bëjë kryesisht me të rinjtë, natyrisht pa shpërfillur interesin e një pjese të rinjsh që të punuarit e kanë kthyer në kulturë të tyren.
Kur nuk punon, merresh me “punët e botës”
Ata që na kujtojnë se e kemi zënë mbrapsht demokracinë për sa i përket punës janë emigrantët. Thoshte njëri prej tyre: “U ula në kafe me shokët, po ata i kishin sytë nga ekrani i televizorit… Nuk e ka mirë Berisha këtë punën e referendumit për imunitetin… Ore, mirë nuk e ka Rama, që nuk e votoi në Parlament heqjen e tij…” Edhe të nesërmen, me të tjerë miq, i njëjti avaz. Njerëzit këtu kanë punë me të mëdhenjtë, politikën e Tiranës, rrethinës, kë nuk marrin nëpër gojë, sa për vete, dhe pse ua kanë zënë derën plehrat, nuk luajnë vendit.” Dita shtyhet pa punuar, me debate politike deri në nervozizëm. Me “Facebook” e telenovela. Është mbase ky “turbullim” që i ka bërë disa të heqin dorë vullnetarisht nga vetëkulturimi i tyre, duke mos dashur të dinë se nga e ka derën biblioteka, kinemaja, galeria e arteve, muzeu, teatri etj. Le pastaj të vihesh në kërkim të punësimit. Me punën në kapitalizëm sikur i kemi larë duart. As në shkollë nuk i mësojmë fëmijët si të punojnë. Në tekstet shkollore nuk ka më nga ato fjalët e urta, si “Puna është nder” etj. Tani nder është të bësh jetë nate, të dëfrehesh “ku rafsha mos u vrafsha”. As atë këshillën proverbiale të Naimit “Punë, punë natë e ditë…” nuk e zëmë në gojë. Duket sikur puna nuk është për ne këtu, por vetëm për ata përtej detit. Natyrisht që ka pasur dhe iluzione, sikur jashtë bollëku është sheshit, mjafton të mbërrish deri atje. Dhe të kujtohet një histori e shkuar, kur i zoti i një shtëpie të madhe, në fillimet e shekullit 20, shkoi në Kosovë te të afërmit, pasi kishte dëgjuar se atje ishte fushë e prodhimi bëhej si s’ka më mirë. Kaloi dita e parë, e dytë, e tretë e ai nuk po shihte të mblidheshin njerëzit e shtëpisë njëherë për pushim. Kaloi një javë, dy, tri e ata gjind në punë ditë-natë. E kuptoi se ashtu si punonin ata, nuk kishte pse ta kërkonte fitesën aq larg, me punë zbutej dhe shkrepi i tij. U kthye në fshat, ngriti në këmbë të madh e të vogël, në ara, vreshta, blegtori dhe shpejt u bë nga shtëpitë më në zë, për punë e bereqet, në ato anë. Nuk është thjesht një ndodhi sa për kureshtje, po dhe sot ka plot të rinj që enden prej vitesh në emigracion ose këtu brenda dhe nuk qesin para as për të mbajtur veten.
“Punësimi” i fushatës elektorale 2013
Por ka një “shpresë” për një kategori individësh, që e mendojnë veten të punësuar nga fushata e pritshme elektorale. Jo vetëm se mund të hapen ca vende pune sezonale në shtet. Por mund t’i marrësh pesë apo dhjetë mijë lekë të vjetra dhe duke mbushur autobusët e partive, sallat dhe sheshet e mitingjeve politike. Mund të përfitosh diçka duke shkuar pas kandidatëve të etur për shpura mbështetësish dhe vota, shkurt mund të “shitesh” e “blihesh” sadopak në fushatë. Kot nuk ka pas stigmatizuar populli “U bëftë pa punuar!” Ka ardhur koha që politika të heqë dorë nga një lloj mercenarizimi i njerëzve, më saktë nga përdorimi i tyre elektoral. Loja elektorale për një “thes miell” është e ulët dhe e rrezikshme, pasi prodhon mashtrim, pushtet fiktiv. Prandaj më mirë pa këtë “punësim” që e zhvesh nga dinjiteti, si deputetin e ardhshëm, si votuesin e tij kësodore. Sot nuk është si dikur ku mund të merrje dy gisht letër në zyrën e kuadrit dhe veje drejt e te vagonët. Sot duhet ta krijosh vetë punën dhe punësimin. Hapësira bujqësore, sidomos, është një terren i paeksploruar me punë. Dëgjojmë sa herë të thuhet se Europa, Amerika, Izraeli, Kina, Japonia e të tjerë janë bërë në sajë të punës dhe se puna është integrimi më i mirë. Këmbë mbi këmbë e për shtatë palë qejfe, ne mbetemi një shekull larg ritmeve të zhvillimit bashkëkohor. Duke mbjellë e korrur kanabis sativa, duke mos u shkëputur nga ryshfeti, vjedhja dhe korrupsioni. Është barrë e shkollës, medias, organizmave të punës e punësimit për të krijuar një ndërgjegje të re të punës ndër të rinjtë. Vetëpunësimi është një kërkesë e kohës. Pa e lehtësuar aspak qeverinë nga barra e saj për hapjen e vendeve të punës, e jo duke premtuar sa herë ia do rasti nga 300 mijë vende të reja pune, pa hapur mbase as tre mijë në shtatë vjet. Në strategjinë qeveritare të punësimit thuhet se vetëpunësimi ka pasur rritje nga viti në vit. Ai te ne ka formën e biznesit familjar, tregtar, artizanal etj. Në shkallë vendi rreth 70 për qind e atyre që punojnë janë të vetëpunësuar dhe vetëm një e treta të punësuar në shtet. Sidoqoftë, nismat pozitive nuk e fashisin prirjen e dukshme të të mospunuarit te shumëkush, çka të bën të besosh se sërish do të kemi të njëjtin refren: pas pushimeve, prapë pushime, derisa të vijnë pushimet e tjera, ato të Vitit të Ri. E kjo në Shqipëri nuk është një lojë fjalësh, por përditshmëria jonë, që lëviz aq ngadalë përpara, falë vullneteve të çmuara të disa individëve, për të ndërtuar pallate, punishte vere, sera perimesh, hotele dhe bujtina turistike, për të krijuar biznese blegtorale etj. Më e pakta, s’do të ishte keq sikur ne të tjerët t’i mbanim sytë nga ata.