Autorët, tetë plumba automjetit “Mini Cooper”, plagoset në dorë shoqëruesja e tij ukrainase
Një 40-vjeçar shqiptar mbeti i vrarë dje në orët e para të mëngjesit, në një atentat të stilit mafioz, në kryeqytetin e Greqisë, Athinë. Ngjarja ndodhi rreth orës 03:00 të së premtes, në lagjen “Kalithea”. Viktima u qëllua nga dy persona në një motor, që hapën zjarr ndaj tij me breshëri automatiku dhe më pas u larguan me shpejtësi. Policia greke konfirmoi se 40-vjeçari ishte një shtetas shqiptar, por nuk bëri të ditur identitetin e tij për arsye hetimesh. Së bashku me të, në momentin e atentatit ndodhej edhe e dashura ukrainase e shqiptarit, e cila mbeti e plagosur dhe u transportua në një spital. Janë ende të paqarta motivet e këtij krimi, por duke parë dinamikën e ngjarjes, mediat greke spekulojnë se vrasja mund të jetë një “larje hesapesh” apo hakmarrje.
Vrasja para lokalit
Mediat greke shkruajnë se shqiptari është vrarë para lokalit të tij, në një ekzekutim mafioz në lagjen “Kalithea”. Sipas tyre, kanë qenë dy autorë, të cilët kanë qëlluar tetë herë me armë. Mësohet se shqiptari 40-vjeçar po udhëtonte me një automjet “Mini Cooper”, me ngjyrë të kuqe dhe të zezë.
“Dy vrasësit i janë afruar veturës me të cilin udhëtonte 40-vjeçari shqiptar së bashku me një femër ukrainase. Pa asnjë paralajmërim, autorët kanë filluar të qëllojnë automjetin. Nga plumbat mbeti i vrarë shqiptari, ndërsa ukrainasja u plagos në dorë”, pohojnë burimet nga policia greke.
Sipas tyre, atentati ka qenë i organizuar dhe autorët e kanë ndjekur viktimën për qindra metra me motor.
Në momentin që shoferi i “Mini Cooper”-it po tentonte ta parkonte në afërsi të dyqanit të tij, ai është sulmuar. Autorët janë afruar nga ana e majtë, ku rri shoferi, dhe kanë filluar të shtënat.
Disa plumba të dala nga armët e dy autorëve kanë përshkuar të gjithë automjetin që ishte objektiv dhe janë gjetur tek automjetet e tjera që ishin parkuar.
Dëshmitarët
Të parët që kanë lajmëruar policinë kanë qenë dëshmitarët okularë dhe disa banorë. Ata kanë marrë në numrin e sallës operative të Policisë së Athinës dhe kanë njoftuar për të shtënat. Pas disa minutash në vendngjarje mbërriti një patrullë policie dhe pas disa çastesh një autoambulancë, e cila transportoi në spital 30-vjeçaren e plagosur. Banorët i treguan policisë se autorët ishin me motoçikletë dhe se u larguan nga një rrugë dytësore. Me gjithë ndjekjen policore, dy autorët u zhdukën pa gjurmë. Sipas dëshmitarëve, ngjarja ka ndodhur shumë shpejt, për disa sekonda, ku u dëgjuan krisma dhe më pas një ulërimë.