Kryeministri Sali Berisha ka sulmuar sërish opozitën se tenton të bllokojë çdo investim që bëhet në Shqipëri. Gjatë inaugurimit të rikonstruksionit të rrugës Armath- Hamallaj- Hidrovor, kreu i qeverisë ka renditur një sërë arritjesh të realizuar gjatë viteve të fundit, duke mos harruar të ironizojë opozitën, që sipas tij po bëhet si Don Kishot me mullinjtë e erës. ”
Të ngrihesh çdo ditë kundër tyre, të bësh letra të hapura të stilit të Enver Hoxhës kundër bizneseve të huaja, bën një Don Kishot të vërtetë me mullinjtë e erës. Por janë fatlumë ata dhe vendi që këto nuk varen nga tre të pestat, këto nuk mund të bllokohen. Dhe e vërteta është se sa më shumë ti sulmojnë këta shokë investimet e reja, aq më larg i largohen pushtetit edhe deri në vitet 30 po vazhduan në këtë mënyrë”, u shpreh Berisha, i cili më tej ka renditur sipas tij, sukseset e arritura nga qeveria në fushën e energjetikës dhe turizmit.
Rruga Armath- Hamallaj- Hidrovor, me gjatësi 5,1 kilometra dhe gjerësi 6 metra, përbën një investim prej 172 milion lekë, financuar nga qeveria shqiptare, BERZH dhe BEI. Ajo fillon në aksin e Rrugës Nacionale Maminas – Shenpjeter, pranë fshatit Armath, përshkon fshatin Hamallaj dhe përfundon në bregdet pranë Hidrovorit.
1 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)