3 shtator – Seanca e parë e këtij sesioni do të mbahet më datën 3 shtator, në orën 11:00. Aty do të votohet kalendari dhe programi i punës së Kuvendit


13 shtator – Në kalendar është parashikuar votimi në seancë i draftit “Për Gjykatën e Lartë”


Lëvizjet – Miratohet me konsensus kalendari i punimeve, më 6 shtator këshilli shqyrton amendamentet


BLEDAR HOTI


Mazhoranca jep konsensusin për shqyrtimin e nismën së opozitës për ndryshimin e disa neneve të Kushtetutës. Në Konferencën e Kryetarëve u ra dakord për të shqyrtuar më datën 6 shtator nismën e PS-së për ndryshimin e Kushtetutës, pikërisht në ato kapituj që parashikohet zgjedhja në mënyrë të cilësuar të anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, si dhe të Prokurorit të Përgjithshëm. Pas diskutimeve, zyra e shtypit bën të ditur se “Konferenca e Kryetarëve miratoi me konsensus Programin e Punës për periudhën 2 shtator 2012 – 31 tetor 2012, si dhe Kalendarin trejavor të Punimeve për periudhën 3 shtator 2012 – 21 shtator 2012. Konferenca miratoi edhe mbajtjen e seancës plenare në çelje të sesionit të ri parlamentar ditën e hënë, më 3 shtator, ora 11:00”. Këshilli i Legjislacionit, së bashku me Komisionin e Ligjeve pritet të shqyrtojnë nismën e PS-së, duke ndjekur të njëjtën procedurë, siç u veprua dhe me nismën për heqjen e imunitetit. Edhe pse Konferenca e Kryetarëve ka rënë dakord për shqyrtuar një nismë të tillë të PS-së, nuk është përcaktuar në kalendarin e punimeve se kur ajo do të votohet në seancë, pra paketa e opozitës për ndryshimet kushtetuese. Dy ditë më parë në konferencën për shtyp, Topalli deklaroi se do të ndiqen të gjitha rrugët ligjore për të miratuar heqjen e imunitetit. Statusi i vendit kandidat, duket se ka detyruar mazhorancën për të bërë një lëshim, me qëllim arritjen e një konsensusi për heqjen e imunitetit, për të shmangur ballafaqimin në referendumin me popullin, i proklamuar prej kohësh nga lideri i PD-së, Sali Berisha dhe për ta votuar atë në seancë.


Gjykata e Lartë


Konferenca ka përfshirë në kalendarin trejavor të punimeve shqyrtimin dhe votimin e ligjit “Për Gjykatën e Lartë”. Më datën 13 shtator është parashikuar votimi i një drafti të tillë, që kërkon një votë të cilësuar në Kuvend. Drafti i qeverisë është paraqitur që në muajin korrik, porse ai u shty me kërkesën e PS-së, e cila kërkoi më tepër kohë. Projektligji shihet si mjaft i rëndësishëm, pasi parashikohet që të ngrihet dhe kolegji i lartë, si pjesë e Gjykatës Administrative. Votimi i ligjit “Për Gjykatën e Lartë” është një nga kushtet që duhen plotësuar për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. “Ftoj opozitën të votojë ligjin për Gjykatën e Lartë, si një ndër reformat për sistemin e drejtësisë”, tha Topalli dje. Ajo informoi se janë futur në kalendarë të gjitha projektligjet që kanë ardhur nga qeveria. Prioritet mbetet votimi i ligjit për Gjykatën e Lartë “Ligji i cili me fjalë ishte pranuar se do të votohej nga opozita dhe nuk kalon pa të, ata e bllokuan. Kjo vështirëson vënien në zbatim të ligjit për Gjykatën Administrative”, theksoi Topalli dy ditë më parë. Si në programin e punës, ashtu dhe në kalendarin e punimeve parashikohen plotësimi i vendeve vakante në institucionet shtetërore. Një tjetër draft i rëndësishëm dhe i mbetur pezull prej kohësh është ai “Për transmetimin me zë dhe figurë”, i njohur ndryshe dhe si ligji i “Medias”. Komisioni Parlamentar i Arsimit dhe Medias prej kohësh ka hartuar draftin final dhe se ende nuk është përfshirë në axhendën e punimeve. Ndërsa si drafte të paraqitura nga qeveria e të mbetur pezull mund të përmendin “Për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksioneve publike”; “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”.


 


 


Nismat – Gjykata e Lartë, imuniteti, drafti i Medias, drafti për Administratën e Lartë Publike janë disa nga kushtet e BE-së ndaj Shqipërisë për procesin e integrimit. Votimi për Gjykatën e Lartë është lënë më datën 13 shtator, Kuvendi shpreson që me këtë veprim të japë një tjetër sinjal ndaj KE-së për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtar të BE-së.


Beçaj – Shmangia – Drafti për Gjykatën e Lartë, i paraqitur nga qeveria nëpërmjet ministrit të Drejtësisë, Halimi, ka shmangur nga konsultimet Gjykatën e Lartë. Ky fakt u bë prezent nga kryetarja e këtij institucioni, Shpresa Beçaj.


Halimi – Unë shpresoj se pas përmbushjes së kushteve që po bën qeveria për funksionimin e Gjykatës Administrative në muajin shtator, opozita të japë konsensusin për miratimin e ligjit të Gjykatës së Lartë


“Votoni ligjin për Gjykatën e Lartë që t’i hapni rrugën funksionimit të Gjykatës Administrative”. Kjo është kërkesa që ka drejtuar ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, në adresë të opozitës. “Fillimi i vitit 2013 do të jetë edhe fillimi i punës së Gjykatës Administrative. Ne po plotësojmë të gjitha kriteret dhe kushtet për të cilat kemi marrë angazhimin në Parlament. Javën e ardhshme ne do të inspektojmë punimet në Gjykatën e Apelit të Tiranës dhe në muajt në vijim do të inspektojmë punimet edhe në pesë gjykata të tjera administrative që do të ngrihen në 5 rrethe të vendit. Unë shpresoj se pas përmbushjes së kushteve që po bën qeveria për funksionimin e Gjykatës Administrative në muajin shtator, opozita të japë konsensusin për miratimin e ligjit të Gjykatës së Lartë. Kjo në mënyrë që nga janari i vitit të ardhshëm të fillojë nga funksionimi Gjykatës Administrative, pasi siç e dini, në ligjin për Gjykatën Administrative është kusht krijimi i Kolegjit Administrativ në Gjykatën e Lartë”, tha Halimi.


 


Paloka – Pa më të voglin turp, Rama urdhëroi bllokimin e draftit dhe bllokimin e heqjes së imunitetit, duke bllokuar edhe marrjen e statusit


Nënkryetari i grupit të PD-së, Edi Paloka, deklaroi dje se data 6 gusht regjistroi ditën e turpit për opozitën. Në një konferencë për shtyp, Paloka theksoi se “opozita bllokoi votimin e ligjit për heqjen e imunitetit për të bllokuar marrjen e statusit kandidat nga Shqipëria”. “Si relator i çështjes, theksoj se 6 gushti regjistroi ditën e turpit për opozitën. Pasi PD-ja pranoi çdo propozim të PS-së dhe në fund pranoi variantin e PS-së, Rama urdhëroi mosvotimin e draftit të tij. Platforma e Edvinit është vetëm bllokimi që bëhet për të bllokuar statusin”, theksoi Paloka.


Nënkryetari i grupit të PD-së shtoi se “bllokimi i marrjes së statusit të vendit kandidat nga Edi Rama është mesazhi më i keq për shqiptarët dhe jo vetëm kaq. Pa më të voglin turp Rama urdhëroi bllokimin e draftit dhe bllokimin e heqjes së imunitetit, duke bllokuar edhe marrjen e statusit”. Sipas tij, mosmiratimi i ligjit nga PS-ja i ka kthyer një përgjigje sovjetike shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve.