Gjykata e Tiranës ka izoluar në qeli hajdutin serial Bledar Selmanaj, i cili ishte bërë tmerri i banesave në tri qytete. Sipas prokurorisë, 30-vjeçari e kryente “aktivitetin” e tij në Tiranë, Fier dhe Vlorë, ku akuzohet për dhjetëra bastisje shtëpish, ku merrte çdo send me vlerë që mund të gjente. Ai u arrestua disa ditë më parë në një tentativë vjedhje të një banese, ndërsa ka prova se ai është autor i shumë vjedhjeve në disa qytete, episode këto të dokumentuara nga policia. Për këtë çështje kanë punuar tri policitë e Tiranës, Fierit dhe Vlorës, pasi një numër i madh personash kishin denoncuar për vjedhje banesash. Arrestimi i vonuar i 30-vjeçarit u krye pasi ai lëvizte sa në një qytet në tjetrin, madje në vjedhje ishte shumë i kujdesshëm. Gjatë seancës së djeshme, Selmanaj ka pranuar vetëm autorësinë e pesë vjedhjeve, ndërsa ka shprehur pendesë për krimet e bëra.