Inxhinieri flet për “tërmetet”: Me ujin injektohet solucioni që shkrifton shtresën ranore ku ndodhet nafta bruto
Edmond Hoxhaj
Nëntoka e fshatrave të Komunës së Zharrëzës, një prej zonave më të mëdha naftëmbajtëse në Shqipëri, dyshohet të jetë një rrezik i hapur për mijëra banorët që jetojnë aty. Ky fakt është bërë me dije nga një burim konfidencial i gazetës, që ka dijeni dhe lidhje të drejtpërdrejtë në aktivitetin naftënxjerrës të kompanisë kanadeze “Bankers”. Burimi, i cili nuk ka preferuar të identifikohet, është specialist në fushën e nxjerrjes së naftës, ka sqaruar fakte, të cilat veç të tjerash, vënë në pikëpyetje edhe sigurinë e jetës së banorëve të komunës. Sipas tij, lëkundjet e forta të tokës shkaktohen për shkak të përzierjes së një solucioni me ujin që injektohet në puse. Mësohet se pikërisht ky solucion, i përzier me ujin, arrin të shkriftojë shtresat ranore ku ndodhet nafta. Kjo bëhet me qëllim që të nxirret sa më shumë naftë në sipërfaqe, pohon burimi, duke shtuar se për të ndihmuar thithjen e naftës prej nëntokës përdoret injektimi i ujit, çka bënë që “ari i zi” të dalë në sasi më të mëdha. Në të njëjtën kohë, uji i injektuar duhet të mbushë boshllëqet e krijuara në shtresat ranore pas nxjerrjes së naftës. Por, për shkak të përzierjes së ujit me këtë kimikat, shtresat ranore shkriftohen duke u kthyer në gjendje rëre. E për pasojë, gjatë nxjerrjes së naftës, bashkë me të del edhe rëra e përftuar nga shkriftimi i shtresave ranore, pohon burimi. Në këto kushte, krijohen boshllëqe të mëdha mes shtresave ranore dhe atyre të tjera, si argjilore dhe të zhavorrit që ndodhen në këtë zonë. Pas krijimit të boshllëqeve, shtresat që ndodhen sipër asaj ranore që shfrytëzohet, ngjishen ose rrëzohen, duke krijuar lëkundjet që kanë shkaktuar tërmete, gati të përditshme për muaj me radhë në zonën e Zharrëzës. Sipas specialistëve të nxjerrjes së naftës, kjo mënyrë do të ishte mjaft efikase për të nxjerrë në sipërfaqe sasi të mëdha solari, por në të njëjtën kohë do të ndryshonte strukturat e shtresave të tokës, si dhe do të shkaktonte lëkundje të fuqishme.
Hetimi
Lidhur me lëkundjet e herëpashershme të ndodhura në zonën naftëmbajtëse të Zharrëzës, që është populluar mjaft gjatë 20 viteve të tranzicionit, ka nisur një hetim Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore në bashkëpunim me Komunën e Zharrëzës. Burime zyrtare nga kjo e fundit pohuan se janë ende në fazat e verifikimit dhe se nuk kanë konkluduar në shkaqet që kanë shkaktuar lëkundjet e forta që u bënë mjaft të shpeshta që prej dhënies së puseve për shfrytëzim kompanisë kanadeze “Bankers”. Ndërkaq, edhe Prokuroria e Fierit ka nisur një hetim për të njëjtin objekt, por pa ndonjë rezultat konkret deri tanimë.
Protesta
Mëngjesin e 17 qershorit të këtij viti, qindra banorë të fshatit të Zharrëzës u drejtuan për te depozitat e “Bankers” dhe i zbrazën ato. Revolta erdhi pas disa lëkundjeve të forta të tokës në këtë zonë të ndodhura gjatë natës, të cilat ishin mjaft të ndjeshme edhe në qytetet e Fierit, të Patosit, Roskovecit e zonat e banuara rreth tyre. Lëkundjet e ndodhura atë natë, u pasqyruan si tërmete edhe në faqen zyrtare të Institutit të Gjeofizikës. Drejtori i kompanisë “Bankers” deklaroi atëherë për gazetën “Shqip” se derdhja e naftës u kishte shkaktuar një dëm që kapte shifrën e rreth 1 milion dollarëve.
Dëmet
Por, më të dëmtuar, duket se janë gjithë banorët e fshatrave të Komunës së Zharrëzës. Ata u ankuan atëherë se gjithë banesat e tyre janë dëmtuar rëndë si pasojë e lëkundjeve të herëpashershme, për shkaktimin e të cilave akuzojnë “Bankers. Shpeshherë mijëra banorë të kësaj zone, janë detyruar të qëndrojnë jashtë gjatë orëve të natës, për shkak të lëkundjeve të forta. Kjo, pasi disa shtëpi kanë rrezikuar edhe të shkatërrohen.
Procesi
Gjatë thithjes së naftës del edhe rëra e krijuar, duke krijuar boshllëqe e për pasojë rrëzime të shtresave të sipërme që shkaktojnë lëkundjet sizmike
Drejtësia
Asnjë akuzë ndaj “Bankers” për lëkundjet, në burg dy protestues
Edhe pse qindra banorë të fshatrave të Zharrëzës kanë denoncuar publikisht herë pas here dëmet që u janë shkaktuar në banesat e tyre gjatë viteve të fundit, për shkak të lëkundjeve sizmike, për të cilat akuzojnë “Bankers”, ata s’kanë marrë ende një sqarim për atë që po ndodh. Disa herë kanë protestuar dhe kërkonin hetimin e “Bankers” si përgjegjës për shkaktimin e lëkundjeve sizmike. Por, deri tanimë, policia dhe prokuroria nuk ka arritur të sigurojë asnjë dyshim ndaj “Bankers” për këtë fakt. Madje, dy prej protestuesve janë arrestuar dy muaj e gjysmë më parë si të dyshuar për derdhjen e naftës nga depozitat, mëngjesin e 17 qershorit të këtij viti. Policia arrestoi atëherë 45-vjeçarin Kastriot Beluli dhe Gentjan Asllanin, 38 vjeç, për veprat penale të “Shkatërrimit të pronës me mjete të tjera” dhe “Organizimit e pjesëmarrjes në grumbullime të paligjshme”. Prokuroria kërkoi vendosjen e masës së sigurisë arrest në “burg pa afat” ndaj tyre, si të dyshuar për hapjen e depove të naftës të kompanisë “Bankers”, kur u derdh një sasi e konsiderueshme naftë bruto. Gjykata e vlerësoi të ligjshëm ndalimin e tyre dhe vendosi të caktojë masën e sigurisë të kërkuar nga prokuroria.
