Ekipi amator i bankës ka buxhet më të madh se federatat e volejbollit, atletikës dhe boksit


Ekipi amator i volejbollit në Bankën e Shqipërisë i ka shpenzimet më të larta edhe se sa përfaqësuesja kombëtare e volejbollit.


Krahasimi i të dhënave zyrtare nga buxheti i bankës dhe Ministria e Sporteve tregon se në katër vitet e fundit, ekipi i volejbollit me anëtarë nga stafi i Bankës së Shqipërisë ka shpenzuar më shumë fonde se sa Federata Shqiptare e Volejbollit, ajo e Atletikës, Mundjes dhe Boksit.


Sipas të dhënave, në katër vitet e fundit, Banka e Shqipërisë ka shpenzuar 374 mijë dollarë për aktivitetet sportive, mesatarisht 93.5 mijë dollarë në vit.


Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, për fondet vjetore që jep buxheti i shtetit për disa nga disiplinat sportive rezulton se skuadra e volejbollisteve të BSH, për të cilat Ardian Fullani është shumë krenar, është financuar me më shumë para se të gjitha volejbollistet profesioniste të Shqipërisë të marra së bashku. Në tre vitet e fundit, Federata Kombëtare e Volejbollit ka marrë mesatarisht 90 mijë dollarë në vit, diçka më pak se sa volejbollistet femra të Bankës së Shqipërisë.


Me këto para, Federata e Volejbollit organizon kampionatin kombëtar, paguan stafin e saj dhe financon ekipin kombëtar shqiptar të volejbollit, atë që përfaqëson zyrtarisht Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.


Por ekipi i volejbollit në BSH nuk kushton më shumë vetëm se kombëtarja e volejbollit. Fondet që merr ai janë 34 për qind më të larta edhe se Federata e Atletikës, po kaq më shumë se sa Federata Kombëtare e Boksit dhe gati 15 për qind më shumë se sa Federata e Mundjes.


Banka e Shqipërisë nuk e përfaqëson Shqipërinë në aktivitete sportive, por shifrat tregojnë se ekipet e saj financohen shumë më tepër nga kombëtaret respektive.


“Top Channel”


Skuadra e volejbollisteve të BSH është financuar me më shumë para se të gjitha volejbollistet profesioniste të Shqipërisë


Guvernatori: Në daljen e fundit para medias, Fullani tregoi krenarinë për ekipin e volejbollit të femrave të BSH