Viktima, nënë e katër fëmijëve, sapo ishte kthyer nga Shqipëria. Vrasësi vetëdorëzohet në polici
Xhelozia është bërë shkak që një 40-vjeçar shqiptar, me banim në Fano, të Italisë, të therrë me thikë bashkëshorten e tij, 32-vjeçare. Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme, në banesën e çiftit, prindër të katër fëmijëve.
Lajmi është publikuar nga mediat italiane, të cilat e kanë cilësuar një krim për nder, që evokon Kanunin dhe ritet barbare. Sipas tyre, autori, 40-vjeçari Arben Hoxha, është dorëzuar vetë në polici, duke rrëfyer krimin që kishte kryer mbi nënën e 4 fëmijëve të tij.
“Kështu duhet të ndodhte”, ka deklaruar shqiptari për karabinierët. Sipas të dhënave të para mësohet se viktima, 32-vjeçarja Marjola Hoxha, ishet në gjumë, kur është sulmuar nga bashkëshorti, i cili e ka therur në fyt me një thikë kuzhine.
Viktima sapo ishte kthyer nga Shqipëria, ku kishte qëndruar për gati gjithë muajin gusht. Qëndrimi i gjatë i 32-vjeçares është bërë shkak që i shoqi të bëhej xheloz dhe ti kërkonte të kthehej menjëherë në Itali. Gruaja ishte marrë me dokumentet e dy fëmijëve, binjakë, 5-vjeçar, të cilët kishin qëndruar në Shqipëri. Ditën e krimit, dy vajzat e tjera të çiftit, 12 dhe 14-vjeçare, nuk ndodheshin në shtëpi. Autori është përshkruar si një njeri i qetë dhe jo i dhunshëm, ai punonte prej disa vitesh si murator. Deri ditën e diel, çifti nuk kishte pasur grindje dhe burri nuk kishte shfaqur sjellje agresive ndaj gruas, megjithëse dyshonte se ajo e tradhtonte.
3 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)
