Kreu i qeverisë, Sali Berisha ka rikonfirmuar se çështja e imunitetit do të zgjidhet me referendum, nëse dështon rruga parlamentare. Sipas tij, heqja e imunitetit të zyrtarëve nuk bëhet për të fituar kapital politik, por për ti bërë të gjithë të barabartë përpara ligjit. Berisha i bëri këto deklarata, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun slloven, Janez Jansa.
“Siç e kam bërë të qartë në mënyrë të përsëritur, heqja e imunitetit nuk bëhet për të fituar kapital politik, kjo apo ajo forcë politike. Heqja e imunitetit bëhet për të bërë politikën shqiptare, zyrtarët shqiptarë, më civil të barabartë para ligjit me qytetarët e tjerë. Heqja e imunitetit është kërkesa ndër më të drejtat dhe legjitimet të Bashkimit Evropian. Vendet e lira nuk mund të pranojnë që zyrtarët e tyre të jenë imun për keq veprimet që bëjnë në drejtim të korrupsionit dhe krimit të zakonshëm. Ka 10 vjet që ne kemi kërkuar një gjë të tillë, kemi qenë në opozitë dhe në mënyrë të përsëritur e kërkojmë”, u shpreh Berisha, duke theksuar më tej se nuk kanë rëndësi rrugët që do të ndiqen, rëndësi absolute ka heqja e imunitetit.
“Natyrisht pas një serie dështimesh për ta hequr në rrugë parlamentare për shkak të kundërshtimit të palës tjetër, ne kemi vendosur ti drejtohemi popullit për referendum dhe absolutisht opsioni i referendumit mbetet në këmbë dhe operativ që në momentin që parlamenti nuk do të votojë heqjen e tij, sepse unë e gjykova që ky është një parim i madh i vlefshëm për të luftuar me të gjitha mjetet demokratike”, deklaroi Berisha.
Ndërkaq i pyetur nga gazetarët se çfarë i takon klasës politike shqiptare të bëjë për të përshpejtuar procesin e integrimit, kryeministri slloven z.Jansa është përgjigjur se palët duhet të bien sa më shpejt dakort për përmbylljen e detyrimeve të vendosura nga BE për marrjen e statusit të vendit kandidat.
“Ne vlerësojmë të gjitha arritjet, marrëveshjet që janë realizuar mes mazhorancës e opozitës. Nga eksperienca ime personale, e di që marrëveshje të tilla nuk janë të lehta dhe ne ketë e vlerësojmë si hap shumë të fuqishëm të rëndësishëm përpara. Vlerësojmë edhe që BE pret që ky trend do të ecë edhe më tej dhe opozita në Shqipëri, në vendimmarrjet ku është zëri i saj, kur kjo nevojitet për ecjen përpara të vendit në BE, vota e saj mund të jetë evropiane. Besojmë se opozita nuk do ta shfrytëzojë këtë si një tendencë të brendshme politike. Por do të ofrojë bashkëpunimin aty ku duhet me 3/5 e votave. Ajo duhet të sillet në mënyrë të përgjegjshme. Këtu nuk kemi të bëjmë aspak me çështje që kanë të bëjnë vetëm me marrëdhëniet e brendshme të shtetit. Bëhet fjalë për kërkesa të cilat BE i ka përcaktuar, jo vetëm karshi Shqipërisë, por për çdo vend që synon t’i bashkëngjitet BE-së për të realizuar standardet evropiane.
Edhe kur kemi të bëjmë me heqjen e imunitetit, po ashtu, kjo është një gjë që duhet të respektohet, sepse në kuptimin evropian, kjo nuk mund dhe nuk duhet të jetë një matje e forcës mes mazhorancës dhe opozitës, por duhet të jetë një bashkëpunim i të gjitha forcave politike që ky hap të arrijë sa më parë. Nëse BE vendos disa kushte të cilat duhet të plotësohen, atëherë shteti kandidat, sa më parë t’i plotësojë këto kushte aq më afër pikësynimit të saj është”, është shprehur kryeministri Jansa.
3 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)