Merkato


Nuk vonojnë 24 orë pas triumfit të Atletikos së Madridit në finalen e Superkupës së Europës. Zërat e merkatos mbi Radamel Falkaon, që bëri një performancë me 5 yje në Monako. Diego Simeone e tha pas ndeshjes se sfida po të luhej para 31 gushtit do të kishte shumë probleme për të mbajtur “El Tigren” nga ofertat e rëndësishme. Dhe ja ku vjen konfirmimi: Sulmuesi më i kërkuar i momentit duket se do të ndërrojë skuadër në janar. Kolumbiani Falkao, besohet se do të kalojë te Çelsi në Premier Leaguen angleze. Sipas mediave në Amerikën e Jugut, të cilave u bëjnë jehonë edhe media në Britaninë e Madhe, Falkao do të transferohet në Londër për shifrën e shkëlqyer të 60 milionë eurove. Sulmuesi shënoi 3 gola në finalen e Superkupës së Europës, të cilën Atletiko e fitoi me rezultatin 4-1 pikërisht ndaj Çelsit. Kolumbiani ka shkëlqyer që kur ishte te Porto, ndërsa vazhdimisht është kërkuar nga skuadrat më të mira të Europës si Reali i Madridit, Barcelona apo klubet kryesore italiane dhe angleze. Atletiko e Madridit e ka hedhur poshtë këtë njoftim mediatik si të pavërtetë, ndërsa flitet se Falkao ka nënshkruar një para kontratë me klubin anglez të pronarit Roman Abramoviç. Për momentin kolumbiani konsiderohet si një ndër sulmuesit më të mirë në qarkullim, duke u renditur mes Lionel Mesit dhe Kristiano Ronlados, të cilëve ai tashmë u ka shpallur sfidën.