Fama – Universitetet private, për personat e famshëm, për elitat akademike, personat e famshëm të botës së televizionit apo edhe për artistët mund të bëjnë “skonto”, për shkak të prestigjit që i japin ata institucionit arsimor ku do të zhvillojnë kërkimin shkencor


Çmimet – Në Shqipëri, në sistemin publik doktoratura kushton mbi 200 mijë lekë të reja, ndërkohë që në privat kostoja kap shifrën e rreth 3 mijë eurove. Secili institucion i arsimit të lartë e vendos vetë tarifën shkollore


Etja – Pas kryerjes së masterave, këto dy vitet e fundit në Shqipëri në modë është doktoratura. Shumica e atyre që kërkojnë të ndjekin këtë cikël studimesh nuk rezultojnë të jenë kryesisht pedagogë apo staf të punësuar në universitete


Elita kosovare zbarkon në Tiranë për kërkim shkencor, vendasit, nëse janë të famshëm, kanë ulje çmimi 


Universitetet e huaja paguajnë, në Shqipëri me shpenzimet e tua


Lorina Mixha


Një muaj para çeljes së vitit të ri akademik, bashkë me regjistrimet e ciklit të parë të studimeve kanë nisur edhe aplikimet për doktoraturë. Të gjithë ata që do të ndjekin pasuniversitarët dhe duan të ecin më tej në rrugëtimin akademik në këtë muaj shqyrtojnë informacionin e nevojshëm për mundësitë dhe ofertat e “tregut universitar”. Në vendin tonë, një vit pas miratimit të vendimit për doktoraturat në universitetet private, shtohen edhe kërkesat për ndjekjen e këtij cikli studimesh.


Madje një numër i konsiderueshëm kërkesash vijnë nga Kosova. Kryesisht elita e Prishtinës rezulton të ketë edhe numrin më të lartë të aplikimeve dhe të regjistrimeve për doktoratura. Më pas, për të marrë titujt e tjerë, “Profesor të asociuar” dhe “Profesor”, ata i drejtohen universiteteve në qytetet ku jetojnë.


Por sipas të dhënave paraprake, çmimet për doktoratura në Shqipëri, rezultojnë të jenë edhe pak më të ulëta në Kosovë. Nëse botës private akademike i afrohen persona me famë, njerëz të njohur e të kultivuar, atëherë universitetet private bëjnë edhe ulje çmimesh, ashtu siç ndodh edhe në ciklet e para të studimeve, ku këngëtarëve, e personazheve të televizionit i bëhen “skonto”, duke i rritur prestigjin këtij institucionit të arsimit të lartë, për shkak të ajkës së studentëve që shkelin në auditorët e tyre. Për të kryer doktoraturën në universitetet shqiptare çmimi është mbi 200 mijë lekë të reja. Ndërkohë që në universitete doktoraturat paguhen në mbi 3 mijë euro. Përvojat e huaja njohin të kundërtën e Shqipërisë në rastin e doktoraturës.


Europa


Në universitetet e huaja, marrin në shembull Suedinë, Francën, Italinë apo të gjithë ato universitete europiane që operojnë me programin ERASMUS, u japin para të gjithë të talentuarve dhe elitarëve për të vijuar kërkimin shkencor e konkretisht programin e doktoraturës. Për të ndjekur këtë cikël studimi në varësi të viteve, universitetet paguajnë dhe kryesisht investojnë për kapacitetet dhe burimet e tyre njerëzore, në mënyrë që institucioni i tyre universitar të ketë në staf persona të kualifikuar, akademikë dhe lëvrues të kërkimit shkencor.


Po ashtu, universitetet paguajnë të gjithë ata që nuk janë në stafin e tyre, duke bërë planifikime se në çfarë fushash e sektorësh ka nevojë shoqëria për kërkim shkencor, apo në bazë të nevojave të institucionit të tyre.


Janë të pakta rastet kur studentë apo të interesuar për doktoraturë e paguajnë vetë këtë cikël studimi. Suedia paguan rreth 1900 euro. Për ata që japin mësim si asistent pedagog cikli zgjat pesë vjet, ndërkohë që për ata që nuk janë të punësuar cikli zgjat vetëm katër vite. Bursat apo pagesat që japin universitetet për doktorantët janë mbi 1500 euro në muaj.


Licencimi


Një vit më parë, pas miratimit të vendimit të këshillit të ministrave për hapjen e ciklit të studimeve për doktoraturë edhe për universitetet private, Ministria e Arsimit udhëzoi tre universitete për çeljen e këtij programi. Bëhej fjalë për doktoratura në degën e Shkencave politike, Juridik, por edhe në Mjekësi. Ndërkohë që këtë vit universitetet private do të kenë më shumë fusha studimi dhe kërkimi për këtë cikël studimesh.


Sakaq, Grada shkencore “Doktor” është e revokueshme në çdo kohë dhe për çdo rast, që konstatohet plagjiaturë ose manipulim të dhënash në punimet e kandidatit. Në këtë rast, dekani i kërkon Këshillit të Profesorëve të mblidhet menjëherë dhe ta shqyrtojë rastin e konstatuar. Vendimi i Këshillit të Profesorëve shqyrtohet nga Këshilli i Etikës i institucionit të arsimit të lartë, i cili i propozon rektorit të këtij institucioni revokimin e gradës shkencore “Doktor”, të fituar nga kandidati.


 


Vendimi i qeverisë:  


Privatët bashkëpunim së paku me një universitet të zhvilluar


Sipas vendimit, institucioni i arsimit të lartë, që aplikon për hapjen e programeve të studimeve të doktoratës, duhet të jetë universitet, akademi apo qendër ndëruniversitare dhe shkollë e lartë universitare, që paralelisht aplikon për statusin e universitetit. Dokumentin në të cilin përcaktohen fusha shkencore dhe emërtimi i programit të studimit të doktoratës, i cili duhet t’i referohet një fushe studimi, disipline ose mund të jetë ndërdisiplinore dhe të shoqërohet nga relacioni shpjegues përkatës për interesin që paraqet fusha. Po ashtu, duhet të ketë marrëveshje të institucionit të arsimit të lartë, së paku me një universitet të një vendi të zhvilluar, që garanton programe të shkëmbimit të personelit akademik dhe të studentëve të doktoratës, si dhe realizim të projekteve kërkimore të përbashkëta. Për shkencat albanologjike bashkëpunimi mund të jetë edhe me një institucion të arsimit të lartë apo qendër kërkimore në Kosovë dhe në trojet shqiptare”.