Dokumentet Faksimilet e letrave të kompanisë amerikane dhe të ministrave Haxhinasto, Pollo dhe Bregu


Lobimet – Grupi Podesta vetëm gjatë vitit 2011 nga lobimet e bëra për qeveritë e ndryshime ka përfituar shumën prej 4.769.716 USD


Shqipëria – Prej vitesh qeveria e djathtë ka kontraktuar “Podestën” dhe “Patton Boggs” për t’i bërë avokatinë në Senatin Amerikan dhe në DASH


Berisha – Takimet e Kryeministrit Berisha në SHBA janë lobuar nga 2 kompanitë amerikane, në këmbim të shumave të majme për shërbimin e kryer


BLEDAR HOTI


Qeveria dhe Partia Demokratike kanë pasur si lobiste kompaninë “Podesta” dhe “Patton Boggs” gjatë zgjedhjeve lokale të 8 majit. Kontrata të mbajtura të fshehta, pasi në KQZ nuk ka pasur një depozitim të tyre nga ana e PD-së se “Podesta” ose dhe “Patton Boggs” kanë qenë konsulente zyrtare në zgjedhjet e 8 majit. Kompanitë e njohura tashmë në Shqipëri për përfitimin e qindra e mijërave dollarëve nga paratë e taksapaguesve shqiptarë për t’u përdorur për interesat personale të PD-së mund të ketë ndikuar në dhënien e idesë për rinumërimin e votave të hedhura në kutinë e gabuar, duke sjellë si argument, precedentin e ndodhur përtej Atlantikut, atë të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2000, në Florida të SHBA-së. Gazeta “Shqip” ka zbuluar disa dokumente në të cilën punonjës të kompanisë i dërgojnë qendrës në SHBA mbi ecurinë e zgjedhjeve lokale të 8 majit, duke bërë të qartë se në Shqipëri po ndodh ajo që ndodhi në Florida në vitin 2000. E gjithë makina shtetërore është vënë në shërbim të kompanive lobuese, kjo vetëm e “Podesta”, por dhe te “Patton Boggs”.


Letra -Patton Boggs & Pollo (PDF)


Letra e 18 majit



John Anderson më 18 maj të vitit 2011, në ora 07.55 AM i dërgon Mike Burns-it një letër elektronike (e-mail). Që të dy janë punonjës të kompanisë lobiste, “Podesta Group”. E-mail-i i 18 majit të vitit 2011 ka si subjekt “Zgjedhjet në Shqipëri”. “Kam vetëm një apel për ju, durimin për numërimin e votave në Tiranë. Është ironike, por niveli i lartë i transparencës dhe paanshmërisë (i numërimit të votave një nga një), duke përfshirë të dy palët në vendimet etj) po kontribuon në vonesën në finalizimin e votave. KQZ-ja nuk ka shpallur një fitues ende, dhe siç e dini, nuk është një proces i miratuar dhe se ata janë duke punuar me shumë kujdes. Kjo nuk është diçka unike në Shqipëri, kjo është më shumë karakteristikë e një gare të ngushtë”, shkruan në letrën e tij Anderson. Më pas ai vë në dukje precedentin e Floridës, duke hequr një paralele me zgjedhjet në Shqipëri. “Ju kujtojmë se zgjedhjet presidenciale në vitin 2000 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u vunë në dyshim për disa ditë për shkak të rezultatit të ngushtë dhe të diskutueshëm të votave në Florida, ku u filmuan numëruesit e votave duke debatuar dhe analizuar votat pezull. Dhe procesi i Tiranës është mbajtur nën vëzhgim nga afër nga monitoruesit ndërkombëtarë, ata po bëjnë thirrje për durim dhe zbatimin e procesit”, theksohet më tej në letër. Në këtë e-mail bëhet prezente dhe një deklaratë e ambasadorit amerikan, Arvizu, mbi procesin e 8 majit, ku në fokus kanë qenë votimet për Bashkinë e Tiranës. “Kjo ishte një fitore për demokracinë shqiptare dhe popullin shqiptar. Të dyja palët pretendojnë fitoren, është veçanërisht e rëndësishme për të pritur për rezultatet e certifikuara në përputhje me Kodin Zgjedhor”, citohet Arvizu. Letra më pas mbyllet me fjalët “nëse ju keni probleme për të kontaktuar funksionarë të qeverisë për një takim për zgjedhjet, më vini në dijeni dhe do të përpiqem t’ju ndihmoj që t’ju lidh me to… Përshëndetje … John Anderson Anderson/Podesta Group.. tel. +12403930982”.


Letra e 23 majit


Gazeta “Shqip” disponon dhe një letër të dytë, ajo është e datës 23 maj 2011. E-mail-i shoqërohet dhe me një relacion të posaçëm, sekret të Ministrisë së Jashtme dërguar komunitetit ndërkombëtar, ku sqarohet procesi i 8 majit dhe posaçërisht përplasje e madhe për Bashkinë e Tiranës. “Rezultati përfundimtar në zgjedhjet e 8 majit për kryetarin e Bashkisë së Tiranës me sa duket do të shpallet në të ardhmen e afërt nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Shqipërisë. Bashkangjitur po ju dërgoj këtu një notë që Ministria e Jashtme i ka dërguar jashtë njerëzve nga bashkësia ndërkombëtare me shpresën se do t’i ndihmojë në sqarimin e ligjit dhe për t’i mbajtur të informuar. “Siç e kam thënë edhe më parë, kohët e fundit, zgjedhjet e ndara nuk janë unike në Shqipëri. Por çdo vëzhgues ndërkombëtar po i bën thirrje për të zbatuar ligjin dhe shtetin e së drejtës. Të njëjtën gjë po kërkon dhe qeveria. Dhe një arsye e fundit nga ana ime: Nuk është tani, as në këtë garë nuk ka qenë një “rinumërim”, që nënkupton se të gjitha votat janë numëruar përsëri. Shpresoj se kjo do të ndihmojë”, mbyllet letra e dytë e 23 majit. Janë gjetur disa letra të qeveritarëve, madje dhe të Partisë Demokratike në të cilat jepen informacione mbi rezultatin e zgjedhjeve dhe arsyet se pse KQZ-ja po vepron mbi vlerësimin e votave në Bashkinë e Tiranës, ku fillimisht Edi Rama, kandidati i PS-së, doli fitues para kandidatit demokrat, Lulzim Basha, me një diferencë të ngushtë prej 10 votash. Por se gjithçka u përmbys nga vendimi i KQZ-së, i marrë me 4 vota pro dhe 3 kundër të anëtarëve.