Nafta e Norvegjisë


Është një vend që praktikisht lundron mbi dollarët e naftës dhe gazit


Punëtorët e industrisë së naftës në brigjet norvegjeze të Detit të Veriut paguhen më shumë sesa drejtorët e kompanive në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por nuk u mjafton dhe së fundmi janë duke organizuar greva me synimin për të marrë paga edhe më të larta.


Norvegjia po përjeton “vështirësi” aktualisht për shkak se shumë burime nafte janë zbuluar në pjesë të tjera të botës, ku nxjerrja e naftës është më e lehtë e më e lirë. Ky vend është eksportuesi i tetë më i madh i naftës në botë. Por muajin e kaluar, të gjitha impiantet në det të hapur mbetën pa punë për 16 ditë, si pasojë e një greve të punëtorëve.


“Si norvegjez ndihem gati i turpëruar për faktin se është dy herë më e kushtueshme të nxjerrësh naftë në bregun norvegjez sesa në atë të Britanisë së Madhe”, thotë Hege Kverneland, shefe për teknologjinë në kompaninë kombëtare të shërbimeve për sektorin e naftës. “Është e vështirë ta kuptosh kur e sheh situatën nga jashtë, duket sikur ata janë të çmendur”, komentoi ajo.


Norvegjia duket se është viktimë e suksesit të vet. Ndërsa ekonomitë e Europës janë në recesion, ajo shënoi 5 për qind rritje ekonomike gjatë tremujorit të dytë të këtij viti. Norvegjia nuk ka borxh publik, as deficit buxhetor. Zotëron 600 miliardë dollarë rezerva të investuara nëpër botë, ose 120 mijë dollarë për çdo banor të këtij kombi me 5 milionë njerëz.


Ky vend po importon po aq shumë punëtorë sa mundet, gjë që ka sjellë rritjen e çmimit të shtëpive, si dhe fuqi shpenzuese për familjet. Sektori i naftës përbën një të pestën e PBB-së së vendit që është aktualisht 480 miliardë dollarë në vit dhe mund të vijojë të punësojë këdo që është i disponueshëm për punë. Kjo situatë ka bërë që edhe punëtorët ta shfrytëzojnë mirë rastin. Vitin e kaluar, shumë segmente të administratës publike hynë në grevë për të kërkuar paga më të larta. Por diçka duket se po ndryshon. Prodhimi i naftës dhe i gazit ka ardhur në rënie që nga viti 2004, pasi zbulime nafte në vende të tjera kanë rritur konkurrencën. Paga mesatare e një punëtori nafte në Norvegji është 180 mijë dollarë në vit, më e larta se kudo tjetër në botë. Kjo pagë është 93 mijë dollarë më shumë sesa ajo e një punëtori nafte në Britaninë e Madhe, si dhe më e lartë sesa paga mesatare e drejtorëve të kompanive në SHBA, të cilët marrin rreth 177 mijë dollarë në vit.


Por ndërsa konkurrenca në nxjerrjen e naftës rritet, e njëjta gjë ndodh edhe për punëtorët e kualifikuar. Në Australi, burime të reja nafte në det kanë krijuar një treg pune të fuqishëm me paga që po rriten me shpejtësi. Norvegjezët mund të kenë nevojë të rrisin më tej pagat e tyre për të mos lejuar largimin e punonjësve të kualifikuar.


Punonjësit e detit kanë mundësi të shijojnë edhe pushime të gjata. Në Norvegji, ata marrin katër javë pushim për çdo dy javë punë në det. Punonjësit e Britanisë punojnë dy javë po e dy jo, ose dy javë po e tri jo, sipas rastit.