Ndalohet njëri prej banorëve të fshatit. Komuniteti përreth shuan zjarrin me mjete rrethanore


Për rreth një muaj zjarret bëjnë kërdinë me pasuritë mjedisore. Dje është përfshirë nga flakët edhe një pjesë e fshatit Sauk, shumë pranë kryeqytetit. Dje u njoftua nga komuniteti i këtij fshati se zjarret pushtuan kodrat e mbjella me ullinj. Zona e përfshirë në flakë njihet si Sauku i Vjetër.


Policia ka ndaluar një person, banor i fshatit, por zyrtarisht nuk është bërë asnjë njoftim për shkakun e marrjes flakë të ullishtave në këtë fshat pranë kryeqytetit.


Gjatë mesditës së djeshme, banorët kanë njoftuar menjëherë forcat e zjarrfikësve, pasi kanë vërejtur retë e tymit në fshat. Të shqetësuar ata kanë raportuar se vatra ishte jo vetëm në mesin e ullishtave, por edhe shumë afër shtëpive të banimit.


Komuniteti


Banorët nisën të shuanin flakët me mjete rrethanore, ndërsa pas njoftimit, zjarrfikësit bënë të mundur ndalimin e zgjerimit të vatrës së zjarrit.


Dje është ndaluar një banor i fshatit, i cili dyshohet se ka qenë edhe autor i zjarrvënës. Ai kishte tentuar të digjte një sipërfaqe të tokës së tij, por flakët kanë dalë nga kontrolli duke përfshirë edhe ullishtat e fshatit.


Dy ditë më parë, flakët janë shtrirë rreth 100 metra në veri të linjës së teleferikut, në afërsi të Thesarit të Shtetit, ndërsa nuk mungojnë edhe rreth 1 km në drejtim nga jugu, në territorin e njohur si zona e mimozave, fare pranë parkut kombëtar të malit të Dajtit. Qytetarët që banojnë pranë kësaj vatre zjarri tregojnë se janë të shqetësuar, pasi duket sikur zjarri po u afrohet banesave të tyre, por edhe një shkolle private të pozicionuar në këtë zonë.


Biznesi me drurin


Zjarri që ka përfshirë mijëra hektarë pyje dhe kullota në gjithë vendin rezulton të jetë fitimprurës për disa firma që merren me lëndët drusore. Drejtori i Pyjeve në Ministrinë e Mjedisit sqaron se ka dijeni për një firmë në zonën e Korçës që eksporton lëndën e djegur të drurit, e cila shërben për prodhimin e lëndës së imët që përdoret për mobilim, por nuk është në dijeni për ndonjë rast të vënies së zjarrit me qëllim nga këto firma.


“Ka kompani që drurin e djegur e përdorin për nevojat e mobilierisë. Pra eksportojnë këto mbetje teknologjike të cilat janë të kërkuara nga tregu. Është një vlerësim racional i lëndës së drurit, por absolutisht nuk mund ta pranoj logjikën që pyjet digjen për të përfituar”, shprehet Proko. Në gjithë vendin numërohen 17 firma të cilat kanë të drejtë të shfrytëzojnë një sipërfaqe prej 70 mijë metër kub dru, ndërkohë që në gjithë vendin është përllogaritur një sipërfaqe prej 800 mijë metër kub. Por përtej këtyre përllogaritjeve janë të shumta firmat që eksportojnë lëndë drusore apo që presin në sipërfaqet e pyjeve kombëtare. “Ka kompani që kanë eksportuar lëndë drusore pa leje. Problem mbetet shfrytëzimi i pyjeve komunale”, shtoi Proko.


Mijëra hektarë pyje e kullota preken nga zjarret dhe mijëra hektarë pyje po shkatërrohen nga prerjet e paligjshme. Dëmi ekonomik shkon në miliona lekë, ndërsa ai ekologjik është shumë herë më i madh, pasi shtresat e tokës thahen dhe një pjesë e madhe po i nënshtrohet erozionit. Prej disa vitesh sipërfaqet pyjore po vijnë duke u tkurrur çka po e ekspozon vendin drejt një tjetër katastrofe, asaj të rrëshqitjes së dherave.


 


Shfrytëzimi


Në gjithë vendin numërohen 17 firma, të cilat kanë të drejtë të shfrytëzojnë një sipërfaqe prej 70 mijë metër kub dru, ndërkohë që në gjithë vendin është përllogaritur një sipërfaqe prej 800 mijë metër kub


 


Banorët


Të shqetësuar, komuniteti i banorëve në fshatin Sauk ka raportuar se vatra ishte jo vetëm në mesin e ullishtave, por edhe shumë afër shtëpive të banimit