Partitë mbajnë sekret emrat e kandidatëve për anëtarë të këtij institucioni
Parlamenti shqiptar hapi dje zyrtarisht konkursin për kryetarin e ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ose thënë ndryshe njeriun që do të mbajë barrën e procesit zgjedhor të vitit të ardhshëm. Por kjo procedurë ka nisur pa u diskutuar ende anëtarët e rinj të këtij institucioni, të cilët zgjidhen sipas procedurës së vjetër 3 nga mazhoranca dhe 3 nga opozita. Partitë kryesore mbajnë sekret kandidaturat që do të diskutohen, duke e bërë procedurën jo transparente. Hapja e këtij konkursi erdhi pas konsensusit mes PD-së dhe PS-së për amendimin e Kodit Zgjedhor, duke shënuar kështu dhe përfundimin e mandatit të kryetarit aktual të këtij institucioni, Arben Ristanit. Duke zgjedhur komunikimin elektronik për të shpallur hapjen e garës, Kuvendi renditi dhe kriteret që kandidatët duhet të plotësojnë për t’u kualifikuar për këtë garë. Së pari, kriteret e marra nga Kodi Zgjedhor përcaktojnë se shtetasi do të jetë mbi moshën 35 vjeç, me arsim të lartë dhe me përvojë profesionale prej jo më pak se 10 vjet punë, në fusha, si: drejtësia, administrata publike, administrimi i zgjedhjeve. Po kështu, si kandidat do të pranohen edhe drejtuesit e organizatave jofitimprurëse, të cilat kanë objekt të veprimtarisë së tyre mbrojtjen dhe zhvillimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, zhvillimin e zgjedhjeve demokratike apo politikat publike. Kritere të tjera të përcaktuara në Kod kërkojnë për kandidatët për kryetar që të mos jenë të dënuar penalisht, të mos kenë qenë anëtar i ndonjë partie politike në 5 vitet e fundit, të mos kenë qenë të zgjedhur si deputet të Kuvendit në 5 vitet e fundit dhe po kështu në të njëjtën përudhë kohe, të mos kenë qenë pjesë e policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura dhe Shërbimit Informativ Shtetëror. Një tjetër kriter është dhe ai i mos largimit nga administrata publike apo çdo funksion publik për shkelje të detyrës. Sipas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, Kuvendi zgjedh fillimisht 6 anëtarët e rinj të KQZ-së, të cilët do t’i nënshtrohen së njëjtës formulë si më parë; dy anëtarë do t’i zgjedhë partia më e madhe e mazhorancës, dy- partia më e madhe e opozitës, anëtarin e pestë do e zgjedhë partia e dytë më e madhe e mazhorancës në Kuvend dhe anëtarin e gjashtë, partia e dytë më e madhe e opozitës në Kuvend. Pas përfundimit të këtij procesi nis ai për zgjedhjen e anëtarit të shtatë të KQZ-së, i cili do të jetë njëkohësisht dhe kryetar i këtij institucioni. Lista e kandidatëve që do të aplikojnë për këtë vakancë do i kalojë komisionit të Ligjeve për të verifikuar përmbushjen e kritereve dhe do t’i shqyrtojë kandidaturat në përputhje me rregulloren e Kuvendit. Pas verifikimit të kritereve komisioni përzgjedh për t’iu paraqitur për votim Kuvendit dy kandidatët që gëzojnë mbështetjen më të madhe të anëtarëve të komisionit, por jo më pak se 2/3 e të gjithë anëtarëve të tij, ku çdo anëtar i komisionit mund të mbështesë deri në katër kandidatë. Nëse palët nuk arrijnë të gjejnë konsensusin për dy kandidatura, atëherë komisioni identifikon katër kandidatët që kanë marrë mbështetjen më të madhe midis anëtarëve të komisionit dhe përfaqësuesit e pakicës parlamentare në komision përjashtojnë dy prej tyre. Dy kandidatët e mbetur i kalojnë Kuvendit për votim dhe kryetar i KQZ-së zgjidhet ai emër që merr më shumë se gjysmën e votave të deputetëve të Kuvendit.
Kreu i PSV 91
Koçi: Partia e Nanos mbështetet nga qeveria
Kryetari i partisë, PSV91, Petro Koçi deklaroi dje se mazhoranca në vend stimulon thashethemet për krijimin e një partie që do të drejtohet nga ish-kryeministri Fatos Nano, me shpresën e copëtimit të mëtejshëm të elektoratit të majtë. Por sipas tij, e majta shqiptare tashmë është e bashkuar rreth koalicionit Aleanca për të Ardhmen dhe nuk ka hapësirë për forca të tjera në të. “Thashethemet për krijimin e një partie tjetër nga radhët e së majtës përbëjnë një mesazh shprese për mazhorancën që sundon vendin dhe sidomos për Kryeministrin në detyrë Sali Berisha. Copëtimi i mëtejshëm i së majtës mund t’i ringjallte shanset për mbijetesë elektorale klanit oligarkik që ka kapur shtetin dhe arkat e tij. Iniciativa ndarjeje në këtë fazë të procesit politik në vend do të dëshmonin papjekuri dhe verbëri politike”, deklaroi Koçi.