Krimi godet sërish. Një 17-vjeçar lezhjan është vrarë me armë zjarri mbrëmjen e sotme pas një sherri mes të rinjsh, i nisur për motive ende të paqarta për policinë. Në ngjarje ka mbetur i plagosur edhe një bashkëmoshatar i tij, i cili po trajtohet në spitalin e Lezhës.


Ngjarja e dyfishtë ka ndodhur rreth orës 20:00, në fshatin Blinisht, kur 17-vjeçari Daniel Bardhoci është qëlluar disa herë me armë zjarri nga persona të identifikuar nga policia dhe shpallur në kërkim. Policia nuk ka bërë të ditur identitetin e tyre për arsye hetimore, por ka deklaruar se po punohet për kapjen e tyre.


Nga të dhënat e para mësohet se nga breshëria e armëve ka mbetur i plagosur edhe 17-vjeçari Osvaldo Marku. Dy adoleshentët janë dërguar me urgjencë për në spitalin e Lezhës, por megjithë përpjekjet e mjekëve, 17-vjeçari Daniel Bardhoci ka ndërruar jetë sapo ka mbërritur në urgjencë. Ndërkohë i plagosuri tjetër është vënë nën kujdes mjekësor dhe do i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale. Policia po punon për zbardhje e plotë të ngjarjes dhe motiveve që çuan në vrasjen e adoleshentit dhe plagosjen e një tjetri.


4 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)