Akuzat
Ruçi: Kreu i shtetit po tregon se është më shumë një noter i Kryeministrit
Fatjona Mejdini
Çelja e sesionit të ri parlamentar paraqiti dje një opozitë të ashpër, e cila e vendosi theksin e debatit parlamentar jo vetëm tek nismat e qeverisë dhe Parlamentit, por edhe tek qëndrimet e njëanshme, sipas saj, të kreut të shtetit, Bujar Nishani. Kreu i grupit parlamentar të opozitës, Gramoz Ruçi, me një fjalë drejtuar Kuvendit, zbuloi dje dhe aksionin politik që do të ndërmarrë opozita në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm. Po kështu ai zbuloi dhe strategjinë që do të ndjekë opozita në kuadër të formimit të aleancave të reja parazgjedhore për të bërë të mundur dhe rrëzimin e qeverisë Berisha në zgjedhje.
Aksioni
Gramoz Ruçi u ndal gjatë dje tek qëndrimet e Presidentit Bujar Nishani, duke i kujtuar kreut të ri të shtetit faktin se nuk kishte vepruar në mbrojtje të interesave të opozitës ashtu siç kishte premtuar. Sipas tij, Nishani po tregon çdo ditë e më shumë se po qëndron në krye të shtetit për të qenë një noter i Kryeministrit Berisha dhe jo i Kushtetutës dhe i ligjeve të vendit.
“Siç thuhet në terminologjinë ushtarake, pa marrë shënjestër fare apo siç thuhet në zhargonin popullor, pa marrë fare nishan. Nuk mori nishan kur në krye të Këshillit të Lartë të Drejtësisë zgjodhi një militant partie dhe me një performancë aspak dinjitoze në organet e drejtësisë. Nuk mori fare nishan kur në krye të Shërbimit Informativ Kombëtar, pa iu tharë ende boja e propozuesit kryeministër, vendosi një drejtues me një të kaluar të zezë, që të rikujton kohën e SHIK-ut ‘92-‘97. E, si të mos mjaftonte kjo, edhe një person me dy shtetësi. Nuk mori aspak nishan kur në krye të Forcave Detare dekretoi një ushtarak të lartë të arsimuar për Forcat Tokësore”, numëroi Ruçi, duke theksuar faktin se me këto nisma, Nishani ka rrezikuar sigurinë kombëtare. Nisur nga këto qëndrime, Ruçi theksoi se opozita i kërkon Presidentit të Republikës “të mos e shkrepë më pa e vënë në sy e pa marrë nishan”. Nga ana tjetër, Ruçi akuzoi qeverinë se nuk ishte e aftë të përmbushte 12 prioritetet që Bashkimi Europian i kishte kërkuar të përmbushte, duke e lënë vendin në një udhëkryq dhe duke akuzuar vetëm opozitën. “Ku janë rezultatet e kërkesave të Bashkimit Europian për luftën kundër korrupsionit? Ku janë rezultatet për pandëshkueshmërinë që është tipari themelor i kësaj qeverie? Ku janë rezultatet për zgjidhjen e çështjes së pronësisë? Ku janë rezultatet për sistemin e drejtësisë? Ku janë rezultatet për luftën ndaj krimit të organizuar? Ku janë rezultatet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut?”, pyeti Ruçi, duke i quajtur marrëzi dhe alibi deklaratat se statusin po e bllokonte opozita. Në fund të deklaratës së tij, Ruçi theksoi se tashmë opozita ishte gati për të rrëzuar regjimin që kishte montuar në vend Berisha dhe për të arritur këtë forcat do të bashkoheshin. “Ne do të nisim një betejë së bashku me shqiptarët, në një front të madh opozitar me ta ,si dhe me të gjithë ato forca politike që kundërshtojnë këtë regjim, si shansi i vetëm për t’ju kthyer shpresën dhe besimin e munguar shqiptarëve, kudo që ata janë, për t’ju kthyer atyre dinjitetin e shtetit, dinjitetin e të qenit shqiptar, zot në tokën dhe në pronën e tij”, premtoi Ruçi.
Koalicionet
Në dy muajt e ardhshëm opozita shqiptare pritet të qartësojë edhe llojin e koalicionit që do të formojë në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të qershorit të 2013-ës.
Mesazhi
Nishani: Partitë të bashkohen për 12 prioritetet
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i dërgoi një mesazh Parlamentit në çelje të seancës së parë plenare për këtë sesion, duke e vendosur theksin tek nevoja e forcave politike për të bashkëpunuar në kuadër të integrimit. “Nxis forcat politike të punojnë bashkarish, për të arritur realizimin e detyrave të rëndësishme të parashikuara në 12 prioritetet e Bashkimit Europian, përpara daljes së raportit të përparimit të Komisionit Europian për Shqipërinë. Dëshiroj me këtë rast të nënvizoj rëndësinë e angazhimit të të gjithë deputetëve në heqjen apo në kufizimin e imunitetit si një kontribut të vendosjes së një standardi politik dhe ligjor të nevojshëm për një shoqëri dhe një vend që aspiron vlerat europiane të shtetit ligjor dhe të së drejtës”, kërkoi Nishani në çelje të seancës.
Nënkryetari i grupit të PS-së
Tahiri: Qeveria ka dështuar në luftën kundër krimit
Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Saimir Tahiri tha se opozita pas 10 muajsh do ta fitojë betejën me krimin, duke e konsideruar si fakt ardhjen e opozitës parlamentare në pushtet, qershorin e ardhshëm. Në një prononcim për mediat, Tahiri theksoi se mazhoranca kishte dështuar në të gjitha iniciativat e saj në kuadër të luftës kundër kriminalitetit dhe ruajtjes së territorit të vendit. “Shqiptarët kanë sy të shohin pasurinë që digjet, siç kanë vesh të dëgjojnë për krimin që sot ka nënshtruar qytetarët dhe shoqërinë. Siç kanë mend të kuptojnë se fajin për këtë nuk e ka opozita, por e ka qeveria e Sali Berishës, që u bë tashmë thuajse 8 vjet që është në pushtet. Ndaj i rikujtojmë dhe i premtojmë kësaj qeverie se opozita do luftojë dhe do ta mundë krimin dhe kriminelët pas 10 muajsh, kur të vijë në pushtet. Deri atëherë do të luftojmë dhe do ta mundim këtë qeveri të kapur deri në fyt nga krimi dhe kriminelët”, theksoi Tahiri.