Ministri i Jashtëm pritet të takojë Fulen, Kukan, por dhe krerët e PSE-së


Shefi i diplomacisë shqiptare, Edmond Panariti, ka nisur dje një vizitë intensive në kryeqytetin europian, ku do të lobojë për opinionin që pritet të japë Brukseli në lidhje me statusin kandidat. Një muaj para se të bëhet e ditur vendimi i Komisionit, nëse Shqipëria do të ecë në një hap më tej në Europë apo do të mbesë në vend. Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, gjatë vizitës së tij në Bruksel do të takojë zyrtarët e rëndësishëm që janë ngarkuar me çështjen “Shqipëria”. Siç bën të ditur zyra e shtypit e Ministrisë së Jashtme, Panariti do të zhvillojë një sërë takimesh me zyrtarë të lartë të Komisionit dhe Parlamentit Europian. Gjatë kësaj vizite, ministri Panariti do të takohet me Komisionerin për Çështjet e Zgjerimit, Stefan Fule; Zv. Presidentin e Parlamentit Europian, Gianni Pittella; Presidentin e Komisionit të Politikës së Jashtme në PE, z. Elmar Brok; Kryetarin e Delegacionit të Europës Juglindore në PE, Eduard Kukan dhe me Presidentin e grupit parlamentar socialdemokrat në PE, z. Hannes Svoboda. Në qendër të takimeve që ministri Panariti do të zhvillojë me zyrtarë të lartë të BE-së do të jenë diskutimet mbi zhvillimet politike në vend, ecuria e procesit të plotësimit të 12 prioriteteve të Komisionit Europian, zhvillimet në rajonin tonë, etj. Gjatë qëndrimit në Bruksel, ministri Panariti do të marrë pjesë në një konferencë të organizuar nga ‘European Policy Center’ (EPC) mbi procesin e integrimit të Shqipërisë. Në fakt ky takim do të japë edhe tendencën se si do të jetë vendimi i Brukselit në muajin tetor. Procedura e veprimit të Brukselit në lidhje me statusin kandidat nis me opinionin e Komisionit, i cili, sipas burimeve diplomatike, është hartuar dhe po i jepet dora finale nga drejtoria e Zgjerimit, e drejtuar nga Pierre Miorel. Më pas ai do të paraqitet në mbledhjen e Komisionit Barroso nga zoti Stefan Fule. Nëse merr miratimin nga Komisioni, ky dokument do t’i paraqitet Këshillit të Ministrave të Jashtëm të 27 vendeve anëtare, të cilët duhet ta miratojnë apo ta hedhin poshtë unanimisht. Bashkimi Europian i ka kërkuar Shqipërisë zbatimin e 12 prioriteteve, ku ndër të cilët spikasin: konsensusi për reformat thelbësore, reforma parlamentare, reforma në drejtësi, lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, ku në këtë aspekt Brukseli ka kërkuar shembuj konkretë, reforma zgjedhore dhe plani i qeverisë, për të siguruar një strategji të qartë ,e cila çon drejt zgjedhjeve të lira e të ndershme etj. Gjatë vizitës së tij në Bruksel, Panariti pritet të marrë mesazhin e qartë nëse do ta përfitojë apo jo Shqipëria këtë vit statusin e vendit kandidat. Nëse ndodh e kundërta, ka gjasa që statusi të vonohet edhe 2 vite, pasi 2013-a është vit elektoral, ndaj pritet që gjithçka të shtyhet më tej në kohë.


 


Zyrtari i BE-së


Sanino: Mos e ktheni gjithçka në betejë


Në ditën e nisjes së sesionit të ri parlamentar, Sannino kërkon nga politika shqiptare që të mos e shndërrojë çdo çështje në betejë, por të bëjë përpjekje maksimale për të arritur në kohë plotësimin e njërit prej kritereve më të rëndësishëm për BE-në, luftën kundër korrupsionit. “Kufizimi i imunitetit është shumë i rëndësishëm për ne, është një element kyç në luftën kundër korrupsionit. Ky do të jetë një hap përpara në drejtimin e duhur për Shqipërinë.”- u shpreh Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian, në një konferencë në Bruksel. Sipas Sanninos, “Shqipëria ka arritur rezultate të dukshme, por ajo që mbetet problematike është fakti se çdo çështje kthehet në betejë nga klasa politike dhe në fund ajo që mbetet është më tepër lufta politike se sa rezultatet.” Brukseli i kushton rëndësi të veçantë heqjes dhe kufizimit të imunitetit të zyrtarëve të lartë, dhe kjo reformë mund t’i sigurojë Shqipërisë shansin për të marrë statusin e vendit kandidat në tetor.