Çështja
Në Madrid janë të gjithë të bindur: “Nuk mundet më”, por për çfarë?!
“Bomba” ka shpërthyer kur spanjollët bëheshin gati të uleshin për të ngrënë darkë. Të dielën në mbrëmje, Reali i Madridit mundi Granadën 3-0 me dopjetën e Ronaldos, i cili shmang dukshëm festimin e golave (150 në 149 ndeshje me Realin), dhe goli i zakonshëm i Higuain. Mou nuk e ka pëlqyer spektaklin dhe ka kritikuar ashpër të tijtë: “Skuadra nuk më ka pëlqyer”. Është i vrenjtur në fytyrë, por nuk e di që e keqja do vijë më pas. Pak nga pak, në zonën mikse shfaqet Kristiano Ronaldo. Ndalet përpara me radiot, pastaj me televizionet. E pyesin pse nuk festoi, përgjigjet shkurt, flet dhe nuk flet, hedh gurin dhe fsheh dorën.
Fjalët — “Nuk festova sepse janë i trishtuar. Klubi e di përse. Është një çështje profesionale, të shikojmë se sa do të zgjasë”. Ky është thelbi i diskutimit të Ronaldos. Ai mohon që humori i keq të ketë ardhur nga çmimi i UEFA-s, që iu dha Iniestës dhe ikën. Fakti që nuk qartësoi asgjë, shkakton shpërthime reagimesh në shumë prej programeve më të ndjekur të natës në Spanjë. Radiot dhe TV-të rrisin audiencën me zbulime paranormale.
Qartësitë — E vetmja gjë e qartë është, që Ronaldo të shtunën ka kërkuar dhe ka siguruar një takim me Florentino Perez dhe Zhoze Angel Sançez, presidenti dhe drejtori i përgjithshëm te Reali. Që këtu, flitet për hipoteza dhe për interpretime. Ronaldo ka manifestuar humor të keq, trishtim, pakënaqësi. Bosët e Realit, të shqetësuar, kanë telefonuar Horge Mendes, agjentin e Ronaldos, Murinjon dhe gjysmën e klubit, duke iu kërkuar nëse në qarkullim ka oferta për portugezin. “Jo”, i është përgjigjur super menaxheri, duke shfaqur edhe ai habi për reagimin e Ronaldos.
Zërat — Dhe atëherë, rruga është e hapur për hipotezat: Ronaldo kërkon më shumë para. Një arsye mendohet të jetë rinovimi i kontratës (e cila skadon në vitin 2015) dhe rritja e mëtejshme e pagës prej 10 milionë eurosh në sezon. Di Maria, Albiol dhe Arbeloa janë tre nga lojtarët që kanë rinovuar kontratat, ndërsa portugezi ende nuk ka marrë asnjë telefonatë. Ronaldo nuk ndihet i vlerësuar, i mbrojtur, i respektuar siç do të donte as nga publiku dhe as nga shokët e skuadrës. Fillimisht është zhgënjyer nga Marselo, shoku i tij i ngushtë, i cili ka mbështetur Kasiljasin dhe Mesin për çmimin “Topi i Artë FIFA”. Gjithashtu marrëdhënia me lojtarët spanjollë të kampionëve në fuqi të Spanjës nuk është idealja. Ronaldo, të dielën, ka qarë në dhomat e zhveshjes për 20 minuta. “Ronaldo nuk mundet më”, siç titullonte dje “Marca”, por nga çfarë? Ronaldo nuk i ka përtypur kritikat e Murinjos për skuadrën. Ronaldo dëshiron të ikë. Dje i është bashkuar kombëtares së Portugalisë, ku pritet t’ua qartësojë më shumë situatën bashkëkombësve të tij.
Arsyet – Kërkon më shumë para, marrëdhënie të mirë me shokët, sidomos me mikun e tij, Marselo
Shtypi unanim – “Asnjë justifikimi për reagimin e Ronaldos, i akuzuar për sjellje fëmijënore”