Pengesë, edhe afati i shkurtër i shitjes së biletave
Altin Manallari
Kombëtarja, dje në mbrëmje, ka nisur përfundimisht aventurën e eliminatoreve të Botërorit Brazil 2014, me përgatitjet për dy ndeshjet e Grupit E kundër Qipros më 7 shtator dhe kundër Zvicrës më 11 shtator. Por një çështje për të mos u nënvlerësuar është edhe fakti, se ndaj qipriotëve pritet që kuqezinjtë të luajnë me mbështetjen e një numri jo të madh tifozësh në stadiumin “Qemal Stafa”. Sigurisht, kundërshtari është Qipro dhe interesi ndoshta mund të mos jetë si ai kundër yjeve të Holandës, Francës apo Portugalisë, që kanë shkelur së fundmi në impiantin e vetëm kombëtar të vendit tonë. Gjithsesi, kjo është ndeshja e hapëse e Kombëtares në këto eliminatore të Botërorit 2014, dhe prania e tifozëve të shumtë do të ishte një faktor më shumë për të karikuar skuadrën, në kërkim të një starti të mirë me fitore. Federata Shqiptare e Futbollit thekson se, nga ana e saj, i ka marrë të gjitha masat që biletat të mos mungojnë në treg. “Nesër (sot) dalin në shitje biletat për ndeshjen Shqipëri-Qipro, – u shpreh dje zëdhënësi për shtyp i këtij institucioni, Lirim Zalla. Jemi mobilizuar maksimalisht, që tifozët të kenë mundësi të shumta se ku të mund të gjejnë bileta për këtë sfidë. Ato do të shiten në të gjitha agjencitë ‘Western Union’, por edhe në të gjitha pikat e shitjeve të gazetave”. Këtë herë nuk do të ketë bileta “online”, sepse, sipas Zallës, është prishur marrëveshja me kompaninë që u ka mundësuar fansave kuqezinj blerjen e tyre në mënyrë elektronike. Por, në fakt, a janë të mjaftueshme vetëm tri ditë, nga data 4 deri më 7 shtator, për joshjen e adhuruesve të Kombëtares, sidomos për një ndeshje, ku kundërshtari nuk ka një emër të madh që garanton dyndje të tifozerisë. Në fakt, kjo është në traditën e FSHF-së për ndeshjet e Kombëtares, pasi kjo procedurë është ndjekur thuajse gjithnjë. Por nëse marrim parasysh shembullin e Zvicrës për ndeshjen që do të luajë ndaj Shqipërisë më 11 shtator (ku do të jemi ne skuadra që nuk ngjall interes për fansat zviceranë), atëherë duhet të themi se afati i shkurtër është një pengesë për thithjen e sa më shumë tifozëve në “Qemal Stafa”. Federata zvicerane, e cila afërmendsh ka një organizim shumë herë më të mirë se sa kjo e jona, i ka hedhur në treg biletat për sfidën e 11 shtatorit prej më shumë se dy javësh, aq sa na ka dhënë mundësinë edhe ne shqiptarëve të ankohemi për diferencimet që ajo po bën me favorizimin vetëm të zviceranëve, që të shmangë praninë e shumë fansave kuqezi në stadiumin e Lucernës. Jo pak problem mbeten edhe çmimet jo shumë të arsyeshme. Ato nuk janë ulur aspak, ndonëse është ndeshja e parë dhe me një kundërshtar jo me shumë emër. Biletat në tribunën kryesore do të kushtojnë 50 mijë lekë të vjetra (32 euro), ndërsa karshi, në tribunën D2, që përkon në qendrën e fushës, bileta do të ketë çmimin 10 mijë lekë të vjetra (7 euro). Dy tribunat e tjera ballore, D1 dhe D3 do të kenë çmimin 7 mijë lekë të vjetra (3 euro), ndërsa çmim modest dhe i pranueshëm është vendosur për tribunat anësore, pas portave, vetëm 2 mijë lekë (pak më shumë se 1 euro).
Informacione
Biletat – Shqiptarët kanë vetëm tri ditë në dispozicion për të blerë biletat për ndeshjen Shqipëri-Qipro, të cilat kanë dalë vetëm sot në shitje
Ku t’i gjejmë? – Biletat do të jenë në shitje në të gjitha agjencitë “Western Union” dhe në të gjitha pikat e shitjes së gazetave të përditshme
Çmimet – Bileta për tribunën kryesore kushton 50 mijë lekë të vjetra, tribuna D2 – 10 mijë, D1 dhe D3 – 7 mijë, tribunat pas porte – 2 mijë lekë
Trajneri Xhani De Biazi
“Harrojeni ‘6-1’-shin, s’është më ajo Qipro”
Shqipëria ka nisur zyrtarisht fushatën e eliminatoreve të Botërorit 2014 dhe të 24 lojtarët janë vënë dje në mbrëmje në dispozicion të trajnerit Xhani De Biazi për ndeshjen ndaj Qipros dhe Zvicrës. Por tekniku kërkon që të mos nënvlerësohen qipriotët në ndeshjen e parë, duke na sugjeruar që të harrojmë fitoren historike 6-1 ndaj tyre në miqësoren e 2009-s. “Të jemi realistë, thekson trajneri italian i Kombëtares, Qipro nuk është më e njëjta skuadër si ajo që Shqipëria e ka mundur 6-1. Futbolli në këtë vend ka njohur rritje të madhe cilësore në këto vite dhe nuk është rastësi që ka pasur edhe skuadër në fazën finale të Champions League. Kundërshtarët janë në gjendje të mirë dhe bëjnë një lojë të organizuar. Në anën tjetër, Shqipëria nuk është më e njëjta skuadër si ajo që fitoi 6-1 me Qipron. Çfarë duhet të bëjmë në këtë ndeshje të parë kualifikuese? Duhet ta bazojmë lojën te lëvizshmëria në fushë dhe shpejtësia e manovrave. Është ndeshja e parë dhe sezoni sapo ka nisur. Duhet të mbështetemi më shumë te gjendja fizike e lojtarëve dhe jo tek aspekti teknik. Përveç punës me skuadrën, miqësoreve dhe vëzhgimeve. kemi pasur kohë për t’i studiuar të dy kundërshtarët e parë, Qipron dhe Zvicrën. Edhe pse sfida me qipriotët mund të duket e lehtë, ata janë një skuadër agresive, që luan me ritme të larta. Do të punojmë shumë që të premten të paraqitemi sa më mirë në fushë dhe të marrim një rezultat të rëndësishëm. I kemi gjetur pikat e dobëta të kundërshtarëve dhe këto ditë do t’i shfrytëzojmë që idetë tona t’ia përcjellim skuadrës në mënyrë që të marrim rezultat”.