Mesfushori rrëfen se nuk është në formën optimale, por do luajë ndaj Qipros
Altin Manallari
Shqipëria nuk është mes favoritëve për t’u kualifikuar në Botërorin 2014. Kjo është e sanksionuar në letër, sipas të cilës ëndrra e shqiptarëve është vështirë të realizohet edhe në këtë edicion. Por kuqezinjtë kanë në dorë të japin maksimumin për një paraqitje sa më dinjitoze në grupin E eliminator. Kombëtarja vazhdon në ditën e tretë të grumbullimit në Durrës, ku po zhvillon edhe përgatitjet në prag të ndeshjes së parë kundër Qipros. Kapiteni Lorik Cana, i cili nuk luajti në dy ndeshjet e fundit me Lacion për arsye dëmtimi, pavarësisht se nuk është stërvitur me pjesën tjetër të kuqezinjve, garantoi se edhe i dëmtuar do të jetë në fushë me Qipron. Sipas futbollistit të lacialëve, fushata eliminatore e Shqipërisë do të zhvillohet në një grup të fortë, ku padyshim favorite është Zvicra.
Lorik, mund të na e përshkruani pak atmosferën në Kombëtare përpara ndeshjes me Qipron?
Ndihet optimizmi. Të gjithë janë të kënaqur që ritakohemi me njëri-tjetrin. Kemi pak kohë në dispozicion për ndeshjen me Qipron, kështu që jemi duke e kryer atë me shumë seriozitet.
Kohët e fundit keni qenë i dëmtuar. A mund të na thoni se cila është gjendja juaj fizike në prag të ndeshjes së të premtes?
Jam i dëmtuar që prej një jave. Kam munguar në dy ndeshjet e fundit me Lacion, në Europa League dhe të dielën, ndaj Palermos, për Serinë A. Nuk jam në gjendje optimale, por po mundohem që të jem sa më mirë. Kam akoma shqetësime në shpinë dhe, besoj se do t’i kem ndoshta dhe për një periudhë dyjavore. Gjithsesi, jam duke punuar ngushtë me stafin mjekësor të Kombëtares dhe trajnerin, por dua ta theksoj se, do të jem patjetër në fushë kundër Qipros, për ta ndihmuar skuadrën. Prezenca ime do të jetë sigurisht, për të fituar ndeshjen.
Trajneri Xhani De Biazi paralajmëroi se, lojtarët duhet ta harrojnë fitoren 6-1 ndaj Qipros në 2009-n. Po ju futbollistët a keni harruar atë?
“Asnjë ndeshje nuk harrohet. Trajneri e ka thënë se, nuk duhet të bazohemi tek ajo ndeshje, pasi kundërshtari ka grumbulluar lojtarë të tjerë, dhe për më tepër kjo është një ndeshje zyrtare. Rezultati 6-1 është arritur në një ndeshje miqësore; skuadra jonë ka qenë në ditë të mira, ndërkohë që tani jemi pak më keq në aspektin e lojtarëve”.
Cilat janë pretendimet e Kombëtares sonë në Grupin E, a duhet që shqiptarët të ëndërrojnë për një kualifikim të mundshëm?
“Grupi dihet që është shumë i niveluar. Besoj se me një skuadër si Zvicra që besoj se për mua është favoriti. Duke parë ekipe si Norvegjia e Zvicra që janë më lartë si nivel, kuptohet që nuk mund të pretendojnë që ne të jemi favoritë për kualifikim. Fatin dhe lojën tonë dhe përfaqësimin e vendit ne e kemi në dorë dhe ne atë do e bëjmë në mënyrë sa më dinjitoze”.
Krahasimi
“Trajneri e ka thënë se, nuk duhet të bazohemi te fitorja në miqësore ndaj Qipros, pasi ata kanë grumbulluar lojtarë të tjerë, dhe kjo është një ndeshje zyrtare. Rezultati 6-1 është arritur në një ndeshje miqësore; skuadra jonë ka qenë në ditë të mira, ndërkohë që tani jem pak më keq në aspektin e lojtarëve”.