Komisioneri i BE-së për Zgjerimin rrëzon propagandën e qeverisë për imunitetet
“Imunitetet? OK, por ju keni lënë pezull reformën parlamentare. I njihni prioritetet?” Është Stefan Fule, komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin, i cili ka rrëzuar argumentet e mazhorancës se çengeli i integrimit varej vetëm në draftin e paraqitur nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, e që nuk ka as “OK”-in parimor të grupit të LSI-së, aleatit kryesor në qeveri. Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Stefan Fule, priti dje në një takim në Bruksel kryediplomatin shqiptar, Edmond Panaritin. Zyra e Fules ka zbardhur këtë takim, duke sqaruar qartësisht, ndryshe nga sa ka deklaruar Kryeministri Sali Berisha, se e vetmja çështje e mbetur pezull nga marrëveshja e nëntorit mes PD-së e PS-së është reforma për rregulloren e parlamentit. Fule e ka quajtur një hap të rëndësishëm heqjen e imunitetit, por ka kërkuar një regjistër me të dhëna solide e të besueshme për luftën ndaj korrupsionit.
Takimi
“Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë Europiane, Stefan Fule, u takua sot me zotin Edmond Panariti, ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë. Komisioneri Fule dhe ministri Panariti diskutuan zhvillimet e fundit sa i përket procesit të integrimit europian të Shqipërisë. Komisioneri Fule përgëzoi përpjekjet e sinqerta të bëra nga qeveria dhe opozita për të forcuar bashkëpunimin në kontekstin e reformave institucionale dhe mirëpriti zhvillimet pozitive të arritura së fundmi. Ai iu referua veçanërisht miratimit konsensual të kodit elektoral të rishikuar si një hap i rëndësishëm, që e sjell marrëveshjen politike të nëntorit të vitit 2011 pranë implementimit të plotë.
Ai nënvizoi se Shqipëria ka një perspektivë reale për progres në rrugën e integrimit europian në vitin 2012, me kusht që vendi të plotësojë në një masë të mjaftueshme e me rezultate konkrete reformat në fushat kyçe. Ai nënvizoi se dialogu konstruktiv politik duhet të vazhdojë për plotësimin e reformës parlamentare për rregulloren e parlamentit, e vetmja çështje e mbetur ende në pritje për t’u arritur sipas marrëveshjes politike të nëntorit. Ai theksoi po ashtu nevojën për të vazhduar progresin në përmbushjen e 12 prioriteteve kyçe të Opinionit të Komisionit Europian, me një theks të veçantë në sundimin e ligjit, duke përfshirë progresin në vendosjen e një regjistri të fortë dhe të besueshëm në luftën kundër korrupsionit. Në këtë drejtim, komisioneri Fule tregoi se rishikimi i imuniteteve do të ishte një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur. Duke përsëritur angazhimin e Komisionit Europian dhe mbështetjen e plotë për Shqipërinë në këto përpjekje, komisioneri e ftoi Shqipërinë të mbetet e fokusuar në reformat gjithëpërfshirëse, që janë të nevojshme në arritjen e objektivit kombëtar të integrimit europian”. Ky tekst i qartë i zyrës së shtypit të komisionerit europian për Zgjerimin thekson se imunitetet duhet të hiqen, por duhet një dialog konstruktuv, jo një përplasje mes PD-së dhe PS-së. Pika tjetër është se nuk mjafton thjesht heqja e imunitetit, por duhet të zbatohet paketa e nëntorit, që përfshin: reformën zgjedhore, reformën parlamentare dhe reformën e imunitetit. Deri tani është miratuar me konsensus Kodi Zgjedhor. Por nuk është zgjedhur KQZ-ja e re dhe nuk është miratuar plani i qeverisë për sigurimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Nga ana tjetër, nuk është miratuar reforma parlamentare dhe ajo e imuniteteve. Pra, kemi një prishje të marrëveshjes së nëntorit, të cilën Komisioni Europian e konsideron si paketë të plotë.
Fule – “Dialogu konstruktiv politik duhet të vazhdojë për plotësimin e reformës parlamentare për rregulloren e parlamentit, e vetmja çështje e mbetur ende në pritje për t’u arritur sipas marrëveshjes politike të nëntorit”
Reforma – Sipas komisionerit të BE-së, paketa e nëntorit nuk është përmbushur me reformën parlamentare, duke bërë të ditur kështu qëndrimin se nuk do të kishte një vendim pozitiv nga Brukseli pa miratimin e paketës
Paketa – Marrëveshja e nëntorit mes mazhorancës dhe opozitës, me ndërhyrjen e BE-së kishte si bazë dhënien e OK të PS-së për miratimin e ligjeve me 3/5-ave, miratimin e reformës zgjedhore dhe akteve që rrjedhin prej saj dhe reformën parlamentare
Ofensiva – Mazhoranca ka nisur një ofensivë kryesisht në grupin socialist në /Parlamentin Europian që ka kreun e institucionit për ta bindur se nuk është mazhoranca që po e pengon integrimin, por opozita që nuk jep miratimin për imunitetet
Korrupsioni – Fule theksoi nevojën për të vazhduar progresin në përmbushjen e 12 prioriteteve kyçe, duke përfshirë progresin në vendosjen e një regjistri të fortë dhe të besueshëm në luftën kundër korrupsionit