Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7,6 gradë të shkallës Rihter është regjistruar pasditen e sotme në Kosta Rika. Epiqendra e tërmetit është lokalizuar 40,8 kilometra thellësi, me një distancë prej 11 km nga qyteza e Nicoya (15 mijë banorë) dhe 140 km larg nga kryeqyteti, San José.
Qendra e alarmit për cunami në Paqësor ka nxjerrë një buletin alarmi për rrezikun që kërcënon brigjet përreth. Sipas ekspertëve shtetet që kërcënohen nga rreziku i cunamit, pas dridhjeve të fuqishme të tokës janë: Kosta Rika, Panamaja, Nikaragua, El Salvador, Honduras, Meksika, Kolumbia, Ekuadori, Guatemala dhe Peruja.
Sipas CNN, tërmeti nuk ka shkaktuar dëme të mëdha në kryeqytet, megjithatë priten verifikimet në të gjithë zonën.
5 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)