Policia e Tiranës ka arritur të zbulojë një rrjet të shpërndarjes së lëndëve narkotike në kryeqytet, që shtrihej kryesisht në zonën e ish-Bllokut dhe qendrat studentore. Policia deklaroi se janë vënë në pranga 2 persona, njëri prej të cilëve ishte shpërndarësi i drogës, ndërsa tjetri përdorues.


Policia deklaroi zyrtarisht se gjatë operacionit të koduar me emrin “Juristi”, janë sekuestruar 60 gramë Kokainë dhe 65 gramë Heroinë, si dhe janë arrestuar në flagrancë shtetasit: Krisald Kundraxhi, 24 vjeç, lindur dhe banues në Selitë, me profesion jurist, si dhe Ened Murati, 32 vjeç, banues në Tiranë. Sipas policisë 24-vjeçari Kundaxhi ishte vënë nën vëzhgim prej dy muajsh, si person i dyshuar për shpërndarje dhe tregtim të drogave të forta, kryesisht kokainë dhe heroinë.


Mesditën e sotme, pasi ka siguruar provat e mjaftueshme, uniformat blu kanë ndërhyrë duke bërë arrestimin në flagrancë në ambientet e lokalit të tij lloto-Bet 07, e ndodhur pas Fakultetit të Gjuhëve të huaja Tiranë. Në momentin e ndalimit të 24-vjeçarit, policia ka bërë arrestimin edhe të Ened Muratit, të cilit ju sekuestrua në cilësinë e provës materiale 0.4 gr heroinë, që sapo e kishte blerë tek Kundraxhi.


Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e 24-vjeçarit, policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale 60 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë, 65 gramë lëndë e dyshuar heroinë, 6 doza të përgatitura për shitje me peshë 1.8 grame lëndë narkotike e dyshuar heroinë, 40 fishekë luftarakë model 56, 1 peshore me mbishkrimin Model M-600 e cila ka shërbyer për peshimin dhe ndarjen e lëndës narkotike në doza, një motor i markës Kavasaki me targe OPN 559, i cili shërbente për shpërndarjen e lëndëve narkotike në zona të ndryshme të Tiranës, 3 telefona celularë, si dhe 60.000 lekë të reja, 35 Dollarë Amerikan dhe 25 Euro, të cilat mendohen se janë përfituar nga shitja e lëndës narkotike. Ndërkohë Sektori Kundër Krimit Ekonomik bëri edhe sekuestrimin e 6 komjuterave lloto – bet, të cilat ishin të paliçensuara për ushtrimin  e këtij aktiviteti.


Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe ndaj dy të rinjve rëndon akuza e “Prodhimit, mbajtjes dhe shitjes së narkotikëve”.


5 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)