GENTI GAZHELI


Iku edhe kjo verë, mes euforisë shtetare për thyerje rekordesh në turizëm, e llogarive individuale e kolektive situatash e realitetesh, déjà vu, që e vrasin përditë shpresën shqiptare që ky vend do të mund të bëhet europian në kuptimin e plotë të fjalës.


Kujt nuk i ka ndodhur që mëngjeseve, duke parë e dëgjuar pasqyrën e shtypit me Bashkim Hoxhën, të mos i duket si 10 vjet apo 15 vjet më parë.


Çdo mëngjes qytetarë nevojtarë, marrin me të njëjtin pasion telefonin për të shprehur po atë tifozllëk partiak edhe po atë rezistencë për të mos pranuar realitetin, si në fillimet e pluralizmit shqiptar, që parimet nuk i shkelim pavarësisht se ëndrrat i ndërrojmë sa herë patriarku na e kufizon hapësirën e lirisë dhe na i nëpërkëmb të drejtat.


Hartimi i ligjeve dhe ndryshimi i ligjeve është përgjigjja që dëgjojmë prej zyrtarëve sa herë kërkojmë llogari. Ligje e rregulla që jo vetëm nuk zbatohen, por shkelen me të dyja këmbët.


Kryeministri harron se si lider i demokratëve përfaqëson një pjesë të elektoratit, por si kryetar qeverie duhet të punojë për të gjithë shqiptarët, edhe për ata që nuk e kanë votuar, ndaj të mos dalë përditë për fushatë e të bëjë propagandë antiopozitare, ende pa filluar fushata elektorale.


Qeveria shqiptare është unike në Europë, pasi ka krijuar precedentin e paparë të përgjegjshmërisë, ku sukseset i merr për vete, kurse dështimet ia faturon opozitës.


Vetëm në Shqipëri është normë që sa herë jemi në situata emergjence të lypin ndihmë nga jashtë, sepse shteti ynë është ngritur mbi rërë dhe rërën na e shet për farë.


Qeveria na shet jashtë standarde firmato, ndërsa popullin e ushqen me lugë të kalbura druri. I shpëlan trurin përditë përmes organeve të propagandës se heqja e imunitetit është më e rëndësishme se çështja e plehrave, pavarësisht se imunitetet si të zotit Meta nuk ndryshojnë asgjë, pasi ai e të tjerë të afërt me pushtetin janë më të barabartë para ligjit se të tjerët.


Teksa i afrohet ankthi i zgjedhjeve, patriarku që ka abuzuar me mrekullinë e lirisë tërë këto vite, duhet të matet mirë për të mos fyer inteligjencën e shqiptarëve, që këtë vjeshtë kanë gërmuar edhe më thellë në xhepat e shpuar për të blerë librat shkollorë.


Është turp kur dëgjon përfaqësues të qeverisë, që të pasfiduar nga gazetarët tallen kur thonë se tekstet tona shkollore janë më të lirët në rajon, kur krahasuar me të ardhurat përbëjnë gjysmën e tyre.


Këtë verë një nga kanalet e propagandës qeveritare u tregonte shqiptarëve se sa bukur kanë kaluar turistët në Durrës, atje ku mizat e grerëzat bëjnë kërdinë prej papastërtisë dhe ku çdo rrugë e pashtruar e çdo kosh plehrash i pambledhur të kujton se bashkë me ujërat e zeza që ngrenë kryet herë pas here, na çojnë përherë e më larg standardeve europiane të turizmit.


Nëse mbetemi në klasë edhe këtë vjeshtë, duhet t’i drejtohemi vetvetes. Si europianë të vërtetë a do ta kishim mbajtur në këmbë një qeveri që bën sehir edhe një parlament që i bën fresk pushtetit.


Nëse po na mohohet statusi i merituar si europianë, në cilin vend të BE-së gjendet si zgjidhje ndëshkimi i kundërshtarëve.


Shqipëria duhet të marrë shembull nga pranvera arabe, ku popujt, pavarësisht një shtypjeje prej gjeneratash u treguan e po u tregojnë diktatorëve se e drejta për të qeverisur nuk të falet nga zoti a natyra, por fitohet me vepra e jo gënjeshtra.


Patriarku është në ankth se mrekullia e lirisë (the miracle of freedom) që ai pretendon se u ka sjellë shqiptarëve, nuk do t’i mbajë përgjithmonë sytë nga mirazhi i një oazi që nuk po e prekim ende.