Vendimi
Qeveria ua jep këtë të drejtë vetëm zyrave të hipotekave
Bashkive u hiqet e drejta për të regjistruar trojet
Qeveria ka marrë dje një vendim në favor të pronarëve realë të pronave, duke kaluar për miratim një draft, i cili ka si qëllim zgjidhjen e çështjes për ata persona që kanë ndërtuar deri në vitin 1991 dhe ende nuk kanë akte pronësie. Në vendimin e qeverisë theksohet në mënyrë të qartë se pronësia për këto ndërtime nuk do të jepet më nga bashkia apo komuna, por nga institucioni i Hipotekës. “Institucioni i autorizuar nga Këshilli i Ministrave për kalimin në pronësi të pasurive të paluajtshme, të ndërtuara deri më 10.8.1991 dhe të truallit funksional të tyre, kur nuk posedohen akte fitimi pronësie, nuk është bashkia ose komuna, ku gjendet pasuria e paluajtshme. Institucioni i autorizuar vepron gjatë procedurave të regjistrimit fillestar me kërkesë të regjistruesit apo të një personi ose të çdo grupi të ngarkuar nga kryeregjistruesi apo me kërkesë të individit”, theksohet në vendim. Në të përcaktohen edhe elementë që i hapin rrugë njohjes së pronës në këto raste. Në draft theksohet se objektit të ndërtuar duhet t’i ketë përfunduar karabinaja dhe mbulesa deri më 10.8.1991. Në draft theksohet se për të marrë pronësisë, trualli funksional duhet të rezultojë fizikisht i lirë dhe i pazënë nga ndërtime pa leje. “Në rastet kur madhësia e sipërfaqes së truallit funksional në posedim të përfituesit është më e madhe se ajo që është miratuar sipas dispozitave ligjore ekzistuese deri në daljen e ligjit nr. 7693, datë 6.4.1993, “Për urbanistikën”, ajo sipërfaqe kalon në pronësi nga shteti tek individit, sipas procedurave të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi”, theksohet në draft. Aty theksohet se objekti, trualli nën të dhe trualli funksional të mos jenë të regjistruar në regjistrin publik të pasurive të paluajtshme. “Objekti i ndërtuar dhe trualli funksional janë të patrajtuar nga legjislacioni përkatës për njohjen, kthimin e kompensimin e pronës apo për legalizimin dhe urbanizmin e ndërtimeve pa leje”, është një tjetër kriter që përcaktohet në ligj. Nga ana tjetër, në draft theksohet se regjistrimi fillestar bëhet në mënyrë sistematike nga regjistruesi, një person ose grup personash të ngarkuar nga kryeregjistruesi apo me kërkesë të individit dhe jepen dhe kërkesat për plotësimin e dokumentacionit. Personi që do të bëjë kërkesë duhet të jetë i pajisur me dokumentin e lëshuar nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP), që vërteton se pasuria nuk është e regjistruar në regjistrin publik apo është regjistruar dhe i mungon akti i fitimit të pronësisë. Ai duhet të ketë dhe planin e rilevimit të pasurisë, të përgatitur nga një subjekt i licencuar për punime topografike. Personi duhet të ketë dhe një vërtetimin të lëshuar nga ZVRPP-ja se për këtë pasuri të paluajtshme nuk ka pasur kërkesë për regjistrim nga ndonjë subjekt tjetër. Një tjetër dokument është dhe ai i lëshuar nga organet e pushtetit vendor brenda kompetencave të tyre, që provon se ndërtimi është bërë para vitit 1991.