Takimi në Durrës
Jo thjesht argëtim, vrasje kohe dhe komunikim, por edhe dobi nga koha e kaluar në internet. Nga Shqipëria dhe Kosova, disa qindra të rinj janë mbledhur në Durrës për të mësuar si të përdorin në mënyrë sa më të dobishme rrjetet sociale. Përfaqësuesja e Shqipërisë në Eurovizion, këngëtarja Nora Nishliu ka çelur konferencën treditore të të rinjve. Gjatë këtyre ditëve, të rinjtë, kryesisht të ardhur nga zona rurale të dy shteteve shqiptare do të trajnohen si të hapin dhe të përdorin blogje, si të ngrenë fonde për projekte të ndryshme në komunitetet e tyre, si të përdorin në mënyrë të frytshme median sociale (facebook-un, twitter-in), si të bëjnë fotografi të fuqishme e të shkruajnë tekste të shkurtra e domethënëse për të promovuar projekte të ndryshme. Fakti që të rinjtë janë përdoruesit më të shpeshtë të internetit dhe të teknologjisë së informacionit në Shqipëri dhe në Kosovë dhe një pjesë të mirë të kohës e kalojnë duke lundruar në internet apo duke qëndruar në kontakt me të njohurit në rrjetet facebook e twitter është shfrytëzuar nga World Vision, organizatore e aktivitetit për t’i orientuar të rinjtë që ta shfrytëzojnë në mënyrë sa më të dobishme këtë potencial dhe kohën që kalojnë në internet. Përveç këshilltarëve të ndryshëm, për të rinjtë do të flasë edhe aktivisti i njohur i medias sociale dhe fitues i Çmimit të Paqes në Australi, Jarrod McKenna. Sipas organizatorëve, gjatë dy javëve të muajit gusht 2012, përmes Facebook-ut dhe Twitter-it, McKenna, gruaja dhe djali i tij arritën të mbledhin 600 mijë dollarë australianë për ngritjen e një strehe për refugjatët në Australi. Rreth 500 të rinj shqiptarë synohet të inkurajohen që të vazhdojnë punën e tyre vullnetare në komunitetet ku jetojnë në drejtim të ndihmës dhe përmirësimit të cilësisë së jetës në të. V. Q.