“Digjet” fondi


Shërbimi Informativ Shtetëror ka tre vjet që vuan për dieta. Agjentët dhe oficerët e shërbimit sekret e kanë lëshuar edhe më parë alarmin për mungesën e fondeve për dietat e shërbimeve, por qeveria nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim. Madje, dy muaj më parë, “Shqip” e ngriti këtë problem dhe sipas informacioneve të marra pranë shërbimit sekret rezultonte se qeveria kishte harruar të japë paratë për agjentët e shërbimit sekret. Madje, në disa raste, vlerat e prapambetura arrijnë në 2500 euro për person. Ky problem ishte ngritur edhe një vit më parë prej tyre, por deri sivjet nuk kishte gjetur zgjidhje, ndërsa sivjet rrezikohet që këto para të prapambetura të digjen përfundimisht, pasi edhe nisma e fundit nuk lëvron ndonjë fond për likuidimin e tyre. Gjatë këtyre tre viteve janë kryer shërbime të ndryshme si brenda territorit të Shqipërisë, ashtu edhe jashtë tij. Shumica e tyre kanë qenë për punë, por nuk përjashtohen edhe rastet e trajnimeve të përbashkëta. Por, deri më sot, nuk është dhënë asnjë fond që oficerët dhe agjentët të përfitojnë paratë e mohuara. Madje, shumë oficerë të shërbimit sekret kanë kryer më shumë se dy ose tri shërbime me paratë e tyre, ku kanë pasur edhe rezultate në punë, por ende nuk janë likuiduar, pa marrë parasysh ndonjë shpërblim tjetër. Numri i personave që duhet të marrin paratë e prapambetura nuk dihet me saktësi, por vlerat e parave variojnë nga 500 euro deri në 2500 euro.