Ish-presidenti Bamir Topi rikthehet në politikë, duke u vendosur në krye të partisë Fryma e Re Demokratike. Ashtu siç dhe pritej, pas dorëzimit të mandatit të tij presidencial, Topi do të drejtojë FRD deri në mbledhjen e kuvendit të parë kombëtarë, duke e parë këtë si sfidë personale dhe mision qytetar.
“Në përputhje me deklarimet e mia të mëparshme, dëshiroj të shpreh sot publikisht vendimin politik për tu bërë pjesë aktive e FRD-së, duke e parë këtë si një sfidë personale dhe një mision qytetar për të bërë më të mirën e mundshme në shërbim të qytetarëve dhe vendit. Për pesë vite pata fatin të përfaqësoj të gjithë shqiptarët, në detyrën e lartë kushtetuese të kryetarit të shtetit. Pas përfundimit të mandatit kushtetues, unë rikthehem në politikë aktive, me përvojë shumë herë më të madhe shtetërore dhe politike, me një ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe me një synime të qarta për një kontribut të vazhdueshëm në arritjen e atyre standardeve të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, të cilat ne ia premtuam qytetarëve shqiptarë në revolucionin studentor dhe qytetar të vitit 1990″, u shpreh Topi.
Më tej ish-presidenti Topi ftoi të bëhen pjesë aktive e FRD-së të gjithë shqiptarët që:”janë të shqetësuar me klimën e rëndë dhe zhgënjyese të tranzicionit të deritanishëm. Kudo, ata, me të drejtë kërkojnë një ndryshim pozitiv për veten, familjen dhe vendin; – një ndryshim që nuk ka të bëjë vetëm me raporte politike në parlament apo në qeveri, por me diçka shumë më të rëndësishme dhe më thelbësore në një shoqëri demokratike: – me ndryshim të sjelljes politike, të formës sesi zhvillohet politika në Shqipëri, të cilësisë së debatit politik dhe të produktit që politika ofron për qytetarin”.
Topi është ndalur më tej në faktin se Shqipëria prej 20 vitesh vijon të jetë vendi i vetëm ish komunist që nuk ka marrë ftesën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, një vend ku nuk janë zgjidhur ende gjashtë çështjet themelore të një sistemi politik demokratik: çështja e pronës, çështja e votës, çështja e drejtësisë, çështja e administratës publike, ajo e ndarjes së drejtë me të kaluarën dhe çështja e integrimit. Ai ka akuzuar dy partitë politike kryesore në vend si përgjegjëset kryesore të dështimeve të deritanishme të tranzicionit shqiptar.
“Në këto vite ne kemi parë sesi interesat politike të ditës, pazaret e fshehta e të hapura personale midis politikanëve e partive, kanë krijuar një sistem partiak me legjitimitet të cunguar, të pabesueshëm nga publiku dhe të pandjeshëm ndaj kërkesave qytetare. Ajo çfarë na dallon dhe e bën identitetin tonë më të plotë, përfaqësues dhe afatgjatë është vizioni ynë për shtetin dhe qytetarët. FRD nuk kërkon dhe nuk synon pushtetin si qëllim më vete; ne refuzojmë dhe nuk do të pranojmë asnjë rast dhe për asnjë arsye marrëveshje individuale apo politike të ndërtuara mbi baza amorale e antikushtetuese.
Ne ndahemi nga dy partitë e vjetra të tranzicionit për shkak se ato, të vetme dhe së bashku, janë e mbeten përgjegjëset kryesore të dështimeve të deritanishme të tranzicionit shqiptar, parti që e kufizuan konkurrencën demokratike dhe sa herë erdhën në pushtet synuan të njësojnë veten e tyre me shtetin, duke përjashtuar qytetarët nga vendimmarrja dhe duke i privuar ata nga të drejtat e tyre kushtetuese, – një model i vjetër i papranueshëm në demokraci. Ne ndahemi nga shumë prej partive të tjera politike për shkak se ne refuzojmë ta ndjekim politikën e parcelizimit të shtetit dhe pushtetit, siç ka ndodhur deri më tani, siç ne, ndryshe nga këto forca politike, refuzojmë të humbasim identitetin e vlerat tek të cilat besojmë e të cilat promovojmë.
Ne nuk i urrejmë kundërshtarët tanë politikë, ne nuk përjashtojmë apriori askënd të japë një kontribut modest për zhvillimin real të demokracisë, ne nuk mohojmë asnjë arritje pozitive të së kaluarës, por ne nuk pajtohemi dhe nuk mund të pajtohemi me ata politikanë apo parti politike, për të cilat luksi i pushtetit të pakufishëm mbetet synim i përhershëm. Brenda sistemit politik konkurrues ne do të bashkëpunojmë e dialogojmë me çdo forcë politike, ndryshe nga praktikat formale të tranzicionit, vetëm për ato çështje e parime mbrojtja e të cilave përbën për ne detyrim publik, elektoral dhe kombëtar. Gjithçka tjetër mbetet në dorë të sovranit, votës së tij të fshehtë dhe vullnetit të tij për të mandatuar qeverisjen e ardhshme të tij”, deklaroi Topi.
7 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)