Presidenti Mario Draghi lajmëron fundin e interesave të larta për borxhet e vendeve të Jugut


Banka Qendrore Europiane hapi dje kutinë e Pandorës dhe njoftoi se ka miratuar një mekanizëm ndërhyrjeje në tregjet e borxheve publike në Eurozonë, për të shmangur interesat e larta të borxheve të vendeve në vështirësi si Italia, Spanja e të tjera. Lajmi u dha nga vetë Presidenti i BQE-së, italiani Mario Draghi, i cili njoftoi se këshilli (ku bëjnë pjesë të gjithë kryebankierët e vendeve anëtare të euros), e ka miratuar tashmë planin.


Programi i ri i blerjeve të bondeve parashikon që BQE të përdorë fondet e veta, pra emision monetar shtesë të hedhur në treg, për të blerë bondet në tregun sekondar sa herë që interesat të arrijnë në një nivel të caktuar. Sipas Drahgit, mekanizmi do të shërbejë si një bllokues dhe do të “garantojë transmetimin e politikës monetare në të gjitha vendet e Eurozonës”.


Sipas tij, kjo do të mjaftojë që të zgjidhen çrregullimet e tregjeve dhe rastet e panikut të “pabazë”.


Financim direkt


Deri më sot, Banka Qendrore Europiane kishte autoritet të ndërhynte për financimin e qeverive me likuiditet vetëm për periudha afatshkurta ndërsa blerja e bondeve afatgjata ndodh për herë të parë. Gjermanët kanë shprehur frikën se tashmë që BQE e vendosi mekanizmin, vendet në vështirësi nuk do të kenë më arsye të vijojnë në rrugën e reformave pasi çfarëdolloj gjëje të bëjnë, do ta kenë gjithmonë një derë të hapur për shpëtim. Nga ana tjetër, nëse kjo histori vijon gjatë, ekziston rreziku që mbajtësit aktualë të bondeve të vendeve në vështirësi t’ia shesin këto bonde me humbje BQE-së, duke e kthyer Bankën Qendrore në një prodhues parash për llogari të qeverive dhe rrjedhimisht duke sjellë inflacionim të euros.


Por në terma afatshkurtër, ndërhyrja e BQE-së konsiderohet si pozitive nga Europa në SHBA dhe u përshëndet nga ekspertët dhe investitorët. Kjo masë do t’i japë frymëmarrje Spanjës dhe Italisë, gjë që filloi të ndihej që dje. Spanja arriti të shesë dje borxh të ri dyvjeçar me interes prej 2.8 përqindësh, shumë më lirë se sa ankandi i shkuar, kur interesi ishte 4.7 për qind.


Bursat e pritën mirë lajmin e Drahgit dhe pësuan rritje në Europë dhe SHBA. Megjithatë, disa ekspertë thonë se është ende herët për të parë nëse mekanizmi i shpëtimit të krijuar nga BQE do të jetë i mjaftueshëm për të zgjidhur problemet e borxhit publik në Eurozonë apo jo.