Trajneri italian beson te skuadra, edhe pse e konsideron Qipron kundërshtar të vështirë
Altin Manallari
Gjithçka është gati. Shqipëria dhe Qipro sonte në 20:30 do të zbresin në “Qemal Stafa” për t’i dhënë start eliminatoreve të grupit F për Botërorin Brazil 2014. Kuqezinjtë janë të karikuar pas 5 ditëve përgatitje. Përballë është Qipro, një kundërshtar direkt i Kombëtares, por edhe një skuadër aspak e thjeshtë për t’u mposhtur. Trajneri De Biazi e ka të qartë këtë fakt dhe, pasi ka trumbetuar me të madhe se Shqipëria duhet ta harrojë fitoren historike 6-1 të vitit 2009, tashmë kërkon nga skuadra që të japë gjithçka në fushë, për të marrë tri pikët e para. “Jemi gati për startin e kualifikueseve të Botërorit 2014, pasi po punojmë prej 8 muajsh për këtë objektiv, theksoi tekniku, i cili u shfaq shumë i qetë në konferencën për shtyp. Kemi ndërtuar një skuadër me lojtarë me eksperiencë dhe të rinj, që mund të japin rezultate të mira për të tashmen dhe për të ardhmen. Për të ndërtuar një skuadër duhet krijuar një grup lojtarësh që mendojnë dhe luajnë si ekip.
Në prag të ndeshjes me Qipron, çfarë duhet të përmirësojmë te kjo kombëtare?
Ajo që sipas meje mund të përmirësojmë në grup, është sjellja mendore, është aspekti psikologjik i gjithsecilit. Kjo do të na ndihmojë të rritemi. Për të marrë rezultate pozitive, duhet të punojmë shumë mirë nga pikëpamja tekniko-taktike, të kemi njohuri mbi kundërshtarin me të cilin do të përballemi, për të kuptuar gabimet dhe defektet tona, vetëm kështu mund të shkojmë te fitorja.
Sa e njihni kundërshtarin dhe cili është objektivi?
Ne e kemi studiuar me shumë kujdes Qipron, e kemi ndjekur në ndeshjet ndaj Bullgarisë dhe Serbisë. Është një skuadër e bezdisshme, që mund të të vërë në vështirësi, nëse nuk ke një përgatitje të mirë taktike dhe mendore. Dua të vrapojmë më shumë se Qipro, të jemi më të zgjuar se Qipro, të jemi gati të shfrytëzojmë mundësitë që do të na jepen gjatë ndeshjes. Të mos u lëmë shumë hapësirë atyre dhe të bëjmë një ndeshje të mirë taktike. Ne duhet të kërkojmë me të gjithë forcën tonë që ta fitojmë ndeshjen. Nuk kemi alibi.
A janë gati afrimet e reja, Meha dhe Kukeli, të luajnë që nga minuta e parë?
Unë jam i bindur se ata që kam grumbulluar për këto dy ndeshje, mund të luajnë. Madje unë jam në vështirësi për të zgjedhur, sepse kam përpara meje një grup lojtarësh që kanë demonstruar se kanë dëshirë, shumë të impenjuar, që më kanë ndjekur gjatë gjithë përgatitjeve.
Qipro është një skuadër e vështirë dhe thuajse e të njëjtit nivel me ne. Skuadra jonë do të mbështet më shumë në aspektin fizik apo në aspektin taktik?
Jam i bindur se lojtarët kanë kapacitetin dhe elasticitetin për të përballuar këtë ndeshje me motivimin e duhur, sepse duam ta fillojmë mirë. Ka një thënie në Itali dhe ndoshta edhe në botë, “fillimi i mbarë është gjysma e punës”. Unë thashë se Qipro është një skuadër e mirë, por nuk thashë se është Spanja. Thashë se është një skuadër për t’u respektuar, sepse sot, nëse ti nuk i përballon skuadrat me përqendrimin dhe përgatitjen e duhur, me shpirtin që duhet të shoqërojë drejt fitores, nuk do të shkosh asgjëkund. Futbolli sot është shumë i ekuilibruar. Diferencat i bëjnë lojërat unike të lojtarëve të mëdhenj. Ne kemi lojtarë të mirë. Shpresojmë të mund të bëjmë një lojë kolektive, që ta vëmë në vështirësi Qipron.
Në këtë moment jeni më të fortë fizikisht apo teknikisht?
Ne kemi një formë të mirë taktike. Kemi punuar mirë në këtë periudhë. Dhe pastaj nga pikëpamja fizike nuk jemi në 100%. Kjo skuadër mund të japë më shumë në këtë drejtim. Por besoj shumë te ky grup lojtarësh. Ka një zemër të madhe, në fushë nuk do të dorëzohet. Që nga minuta e para deri në të fundit do të luftojmë për ta fituar këtë ndeshje.