Majko: Qëndrimi i mazhorancës tregon se nuk duan heqjen e imuniteteve
Fatjona Mejdini
Në një kohë kur pritej që mes Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste të kishte një marrëveshje për sa i përket heqjes së imunitetit dhe miratimit të një reforme kushtetuese, ngjarjet rrodhën në një tjetër drejtim. Këshilli i Legjislacionit në Kuvend i cili u mblodh dje për të shqyrtuar nismën e Partisë Socialiste për ndryshimet kushtetuese, nuk solli asnjë premisë për vijimin e konsensusit mes palëve. Pak minuta pasi përfaqësuesit e të dyja partive politike ishin ulur përballë njëri-tjetrit, në emër të PD-së, kreu i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, kërkoi dy javë kohë për ta shqyrtuar më në detaj këtë draft. Ky qëndrim surprizë i PD-së në një kohë kur socialistët kishin dhënë sinjale të rëndësishme se do ta votonin heqjen e imunitetit, solli dhe reagimin e ashpër të relatorit të draftit, deputetit socialist, Pandeli Majko. Ai e quajti nevojën për kohë të demokratëve për këtë nismë, si një shaka të hidhur të tyre që do të sillte pasojë në konsensusin që kërkohet mes palëve në kuadër të integrimit të vendit. Sipas tij, PD nuk donte heqjen e imunitetit dhe po kështu gjeti rastin t’i dedikonte disa vargje Kryeministrit Berisha. “Muço të hëngërt tënja e ke të keqen brenda”, theksoi Majko për kreun e qeverisë.
Këshilli
Demokratët kërkuan në Këshillin e Legjislacionit që paketa e socialistëve për reformën kushtetuese të diskutohej përsëri në datë 20 shtator, duke nxjerrë si pretekst kohën e pakët që kishin pasur në dispozicion për ta shqyrtuar. Sipas Rusmalit, një ligj i tillë i rëndësishëm kërkon minimalisht dy javë kohë për t’u shqyrtuar. “Dua që ta kem diskutimin sa më profesional, nuk i futem thelbit të çështjes, prisja prezantim të thelluar e profesional e krahasues. Ne duam kohë racionale, të mund t’i lexojmë me seriozitet, t’i vlerësojmë e të japim një gjykim profesional”, deklaroi ai. Të njëjtën qëndrim mbajtën dhe anëtarët e tjerë demokratë në Këshillin e Legjislacionit, të cilët deklaruan se ende nuk e kishin të qartë se ç’kërkonin socialistët. Ky qëndrim i ri i tyre, hodhi poshtë të gjithë axhendën e parashikuar për këtë nismë. Palët fillimisht kishin rënë dakord që në datë 15 shtator grupet e interesit si juristët dhe gjyqtarët të mblidheshin për të dhënë opinionin e tyre në lidhje me ndryshimet që kërkojnë socialistët në kuadër të një reforme në drejtësi.
Socialistët
Ky qëndrim i ri i demokratëve që e bënë tepër të vështirë shqyrtimin e kësaj nisme përpara muajit tetor, solli reagimin e ashpër të relatorit të këtij drafti, Pandeli Majkos. “Sot, kur ne po ofronim këtë konsensus maksimal duke marrë edhe riskun e asaj që vlen kur je në opozitë edhe në kushte të natyrave të tilla siç janë këto të shtetit partiak që po ndërtohet në Shqipëri, PD gjeti rast të bëjë një humor të hidhur. Dy javë në këtë kohë kaq të vështirë, kaq delikate, për të marrë ftesën nga Bashkimi Europian janë një luks. Luks i tepruar i njerëzve të cilët ndjellin një papërgjegjshmëri maksimale”, deklaroi Majko. Sipas tij, kjo mënyrë sjelljeje në një kohë kur opozita kishte dhënë konsensus për imunitetin ishte e tepruar.
Relatori i PS
“PD gjeti rast të bëjë një humor të hidhur. 2 javë në këtë kohë kaq të vështirë, kaq delikate, për të marrë ftesën nga Bashkimi Europian janë një luks. Luks i tepruar i njerëzve të cilët ndjellin një papërgjegjshmëri maksimale. Dhe nuk besoj se ka fjalë më me vend sesa fjala papërgjegjshmëri”