Policia ne Durres, foto ilustruese


Forcat RENEA dhe policia e Shijakut kanë arritur të shmangin një tragjedi familjare. Mëngjesin e sotëm, Flamur Smoqi, 49 vjeç, banor i fshatit Kënetë, të Shijakut, ka kërcënuar të vriste bashkëshorten dhe djalin e tij, por pas negociatave me policinë është detyruar të dorëzohet.


Me një kallashnikov në dorë Flamur Smoqi i kishte zënë pusi në oborrin e shtëpisë gruas dhe të birit. Kishte planifikuar gjithçka, por është rrethuar nga forcat e policisë të Shijakut, të cilat më pas janë përforcuar edhe nga forca të RENEA-s. Pas tre orë negociatash 49-vjeçari është dorëzuar dhe uniformat blu e kanë shoqëruar për në komisariat.


Paraprakisht mësohet se dy muaj më parë djali i Flamur Smoqit ishte ndarë nga e shoqja, për shkak të një tradhtie bashkëshortore. Çifti kishte një vajzë 3 vjeç dhe kjo mendohet të jetë bërë shkak që djali i Flamurit të vendoste të bashkohej sërish me gruan. Për këtë ka gjetur edhe mbështetjen e nënës së tij, po jo të babait i cili e ka quajtur këtë një çështje nderi dhe nuk ka pranuar që nusja të rikthehet në shtëpinë e tyre.


7 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)