Eksperiment i kryer në 900 qytete suedeze mes viteve 1949 dhe 1962 te më shumë se 1 milion nxënës: më pak tumore, infarkte dhe aksidente
Prej kohësh thuhet se të studiosh të shkathtëson trurin. Një studim si ai i publikuar dy vjet më parë në “Neurobiology of Learning and Memory” nga Michael Gruss i Universitetit të Magdeburgit e kishte konfirmuar edhe në mikroskop: të shkosh në shkollë ndihmon në një “pjekje” më të mirë të neuroneve të qarqeve cerebrale parafrontale, me pasojë rritjen e kapacitetit për të mësuar dhe për të mbajtur mend për më vonë. Por që studimi të zgjaste jetën, askush nuk e kishte zbuluar deri më sot.
50 vjet për ta kuptuar
Prova erdhi me publikimin në revistën PNAS të rezultateve të një eksperimenti të bërë në 900 qytete suedeze, mes viteve 1949 dhe 1962 te një numër prej 1.247.867 studentësh, të lindur mes viteve 1943 dhe 1955. Gjithçka nisi nga një hulumtim në shkallë të gjerë i qeverisë suedeze 50 vjet më parë, në prag të reformës që e bënte arsimin të detyruar, i vetmi në historinë e shkencave të epidemiologjisë sociale. Pasi përpunuan të dhënat e studimit, kërkuesit suedezë të drejtuar nga Anton Carl dhe Jionas Lager i “Centre for Health and Equity Studies” të Universitetit të Stokholmit, zbuluan se ata që patën fatin të merrnin pjesë në atë eksperiment, e panë veten me shëndet më të mirë dhe më jetëgjatë. Pas luftës, përveç Suedisë, edhe vende të tjera kanë rritur nivelin e arsimimit, duke ndjekur shembujt e programeve të studimit të përdorura në vende të ndryshme: në Angli, mosha minimale e shkollës së detyrueshme kaloi nga 14 në 15 vjeç në 1944 dhe pastaj në 16, në vitin 1972. Në Itali, pas reformës “Gentile” të vitit 1932, që në 10 vjet e uli shkallën e analfabetizmit me 6,3%, mosha e shkollimit të detyrueshëm ishte 14 vjeç në 1962, ndërsa më 1999 shkoi në 15 vjeç. Përkundrazi Suedia, nga viti 1949 deri në vitin 1962 e bëri gradualisht frekuentimin e shkollës së detyrueshme nga 8 në një periudhë minimale deri në 9 vjet.
Zgjedhja iu takon juve
Në këtë eksperiment kombëtar të bërë te 1 milionë e 200 mijë nxënës, disa mund të zgjidhnin nëse do ta frekuentonin shkollën vetëm për 8 vjet, duke u bërë kështu një grup i madh kontrolli ku më të zotët mund të vazhdonin deri në dhjetë vjet. Duke kërkuar të dhënat shëndetësore dhe certifikatat e vdekjes së gjithë këtyre ish-shkollarëve nga viti 1960 deri më 2007-n, hulumtuesit arritën në përfundimin se tek ata që kishin marrë pjesë në reformën kur vitet e shkollës së detyrueshme ishin 9, rreziku i vdekjes mes dekadës së katërt dhe të shtatë të jetës ishte reduktuar me 0,96 herë, mbi të gjitha për sa i përket tumoreve, infarkteve dhe aksidenteve. Ndërsa përpara moshës 40 vjeç mes të dyja grupeve, nuk kishte asnjë diferencë.
Sot do të ishte e pamundur
“Të bësh një studim kaq të madh sot nuk do të ishte më e mundur, ndaj duhet të pranojmë rezultatin që ka dalë prej tij: edukimi shkakton një proces shkak/efekt direkt mbi shëndetin”. Nën dritën e rezultateve të nxjerra prej kërkuesve ka edhe diçka të rëndësishme që duhet marrë në konsideratë: nga pikëpamja etike do të ishte thuajse e pamundur të vendosësh se kush mund të shkojë në shkollë e kush jo, por nuk duhet të harrojmë se rezultatet e këtij studimi mund t’i ndryshojnë rrjedhën e jetës. Jo të gjithë në botë kanë mundësi të frekuentojnë shkollën, megjithatë nuk duhet të lëmë të na ikë kjo mundësi, sidomos tani që kemi një motiv më shumë.