Formacioni i mundshëm


Numërimi mbrapsht ka filluar dhe Shqipëri-Qipro pret fërshëllimën e gjyqtarit, për t’i dhënë “zjarr” një lufte sportive, ku kuqezinjtë kanë vetëm një alternativë, fitoren. Për sa i takon skuadrës që do të zbresë në fushë, trajneri De Biazi ka theksuar se i ka të qarta idetë, por nuk preferon ta bëjë publik formacionin titullar. “Jam tashmë i qartë për 11-shen titullare. E kam në kokë. Ai që do të zbresë në fushë, është studiuar nga shumë pikëpamje, jo vetëm tekniko-taktikisht, por edhe nga forma që ka në këtë moment të rëndësishëm të sezonit”. Në fakt, trajneri, disa të dhëna sa i përket formacionit, i ka treguar në mënyrë indirekte në ndeshjen e kontrollit me të rinjtë e Teutës. Samir Ujkani mund të qëndrojë në stol për arsye dëmtimi, duke ia lënë vendin Etrit Berishës, ndërsa në mbrojtje nuk ka dyshime: Dallku, në të djathtë, Lila në të majtë, ndërsa Cana-Mavraj në qendër. Ndryshimet më të mëdha i përkasin mesfushës, me përfshirjen në 11-she të dy kosovarëve të sapopajisur me pasaportë. Bulku dhe Kukeli do të vendosen në qendër, Vila ose Roshi në të djathtë, ndërsa Meha në të majtë. Po ashtu, trajneri është treguar enigmatik edhe për sulmin: “Besoj se do të luaj me ata lojtarë, të cilët i gjykoj se janë më të përshtatshëm për të vënë në vështirësi Qipron”. Sipas hamendësimeve të para, Shqipëria mund të luajë me një sulmues të deklaruar, i cili mendohet të jetë Erjon Bogdani. Por nuk përjashtohet që De Biazi, në momentet e fundit të vendosë të ndryshojë nga formacioni 4-2-3-1 në 4-4-2, ku në krah të Bogdanit të rreshtohet njëri mes Sadikut dhe Salihit.