Korçë


Vetëvritet një polic i burgut të sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës me armën e shërbimit. Ilir Sadikaj, 44 vjeç, ka kryer vetëvrasje në orët e para të mëngjesit të së enjtes. Policia rajonale tha se Sadikaj ka kryer vrasjen me armë zjarri pistoletë në afërsi të spitalit të Sanatoriumit të qytetit. Viktima është gjetur rastësisht nga kalimtarë të rastit poshtë një peme. 44-vjeçari ka qëlluar veten me një plumb të vetëm në gojë. Sipas policisë, polici i burgut ka vrarë veten me armën e tij të shërbimit dhe mendohet që ai e ka kryer vetëvrasjen, pasi kishte lënë turnin, por pa mundur të kthehej i gjallë në shtëpi. Duke iu referuar hetimeve, policia e përcaktoi si shkak të vetëvrasjes së policit të burgut depresionin që ai kalonte kohët e fundit. Gjendja e depresionit dyshohet se është shkaktuar nga varësia që ai kishte krijuar me lojërat e fatit. Një zyrtar i policisë rajonale të Korçës, pohoi se viktima luante në lojërat elektronike të fatit, ku dyshohet se kishte lënë shuma të mëdha parash. Madje, sipas policisë, mendohet se dhe rrogën e tij të fundit polici i burgjeve e kishte shpenzuar në këto lojëra elektronike. Dëshmi të ndryshme që ka marrë policia, bëjnë të ditur se 44-vjeçari prej kohësh kishte shitur banesën e tij në lagjen 6 të qytetit të Korçës dhe ishte zhvendosur në një apartament në lagjen e quajtur “Radanec”. Edhe këtë banesë mësohet që Sadikaj ta ketë shitur dhe jetonte me qira, pasi kishte lënë shuma të mëdha parash në kazino. g.ashimi