Ish-presidenti rikthehet fuqishëm si lojtar kryesor i politikës shqiptare


Zgjedhjet


Qëndrimi i djeshëm i Topit bëri të qartë faktin se në zgjedhjet parlamentare të 2013-s në garë do të jenë tri koalicione. Përveç atyre të PD-së dhe PS-së pritet dhe koalicioni i tretë i drejtuar nga FRD-AK.


Ish-presidenti i vendit, Bamir Topi, shkeli dje për herë të parë në selinë e Frymës së Re Demokratike duke marrë po ashtu dhe drejtimin e kësaj force politike deri në zgjedhjen zyrtare të forumeve të saj. Kështu, dje Topi mbylli ciklin e transformimit të tij nga një President mbi palët, në drejtuesin e një partie politike opozitare që ka si qëllim të kontribuojë në rotacionin politik të vendit. Dje, nga foltorja kryesore e FRD-së, Topi bëri dhe një premtim të fortë, i cili lidhet me koalicionet zgjedhore. Sipas tij, FRD nuk do të mbështeste dhe për pasojë nuk mund të bënte koalicion me asnjë nga dy forcat e mëdha në vend, përkatësisht Partinë Demokratike dhe atë Socialiste. Kjo deklaratë e Topit duket se do të sjellë një pol të ri të qendrës së djathtë, i cili pritet të formohet si organizim politik dhe koalicion zgjedhor gjithashtu.


Aksioni


Ish-presidenti i vendit, Bamir Topi, duke falënderuar ish-drejtuesin e përkohshëm të FRD-së, Gazmend Oketa, për pasimin e drejtimit të FRD-së theksoi se tashmë do të niste misionin e tij në politikën aktive. Kreu i ri i FRD-së theksoi se kjo parti do të mundohej të sillte sa më shumë qytetari dhe maturi në jetën politike, nisur dhe nga situata e vështirë në të cilën ndodhet vendi. Në një kohë kur në rendin e ditës së politikës shqiptare është vendosur integrimi, Topi theksoi se ishte e pafalshme për politikën e vjetër shqiptare që nuk arrinte të përmbushte dot aspiratën e shqiptarëve për të qenë pjesë e BE-së. “Ne kemi pasur mundësinë për ta marrë ftesën për t’u bërë anëtarë të BE-së, por këtë gjë e ka penguar politika jonë”, konstatoi Topi. Sipas tij, Shqipëria ndonëse ka 20 vjet që ka dalë nga diktatura nuk arritur dot të përmbushë çështje thelbësore siç janë e drejta e votës, pronës apo drejtësisë. “20 vjet më parë, qytetarët kishin shumë shpresë dhe besim për t’u bërë si gjithë Europa, por pas dy dekadash ata kanë të drejtë të zhgënjehen nga ata që erdhën si shpëtimtarë nga sistemi komunist, por që vetë me qëllim krijuan një sistem të tillë politik me pak dallim nga ai që lamë pas”, deklaroi Topi duke shtuar se FRD do të sjellë një frymë të re në vend, por dhe axhendë të re politike për progresin e vendit.


Koalicioni


Kreu i FRD-së, Topi, sulmoi mjaft ashpër dy partitë më të vjetra në vend, përkatësisht Partinë Demokratike dhe atë Socialiste. Sipas tij, ato ishin shkaktaret kryesore për ndaljen e demokratizimit të vendit. “Ne ndahemi nga dy partitë e vjetra politike, pasi ato janë përgjegjëset e vetme për dështimin e Shqipërisë, duke qenë se janë njësuar gjithmonë me pushtetin kur kanë qenë në pushtet, duke përjashtuar qytetarët”, theksoi Topi, duke u shprehur i qartë se FRD nuk bënte koalicion me asnjë nga këto parti. Në mënyrë indirekte ai sulmoi dhe LSI-në kur theksoi se “ne ndahemi nga shumë parti të tjera, sepse ne nuk jemi për parcelizim të shtetit, siç ka ndodhur deri më tani”.


F.Mejdini