Flet zëdhënësi i Fules: Axhenda, në mënyrë konsensuale
Zëdhënësi i komisionerit për Zgjerim, Stefan Fule, deklaroi dje në një intervistë për radion “Deutsche Welle” se KE kërkonte me insistim përmbushjen e 12 prioriteteve që i kishte lënë Shqipërisë në këmbim të statusit të vendit kandidat. Ai u kujtoi palëve politike në vend se ende nuk kishin përmbushur marrëveshjen e nëntorit, duke mos miratuar reformën parlamentare dhe po kështu reforma të tjera që kërkoheshin nga KE.
Z. Stano, a do ta marrë Shqipëria statusin e vendit kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Europian?
Në njëfarë pike, Shqipëria do ta marrë statusin kur të përmbushë prioritetet dhe kriteret që kërkohen. Pyetja nuk është nëse Shqipëria do ta marrë atë, por kur do ta marrë. Dhe në këtë moment nuk mund t’ju them diçka më të saktë, vetëm se në momentin kur kushtet të plotësohen, kriteret të përmbushen, kur Shqipëria të dorëzojë të gjitha prioritetet kyçe, vetëm atëherë Komisioni Europian do të jetë në gjendje të rekomandojë statusin kandidat për Shqipërinë.
A janë përmbushur kriteret e kërkuara nga Komisioni Europian një vit më parë, apo do të jetë sërish një shans i humbur?
Muajin e ardhshëm Komisioni Europian do të publikojë raportin vjetor. Progres-raportet janë shumë të mira, objektive dhe një vlerësim shumë i ndershëm për secilin shtet që është në këtë proces, të performancës së secilit shtet që do të jetë pjesë e Bashkimit Europian. Këtu bën pjesë edhe Shqipëria, kështu që muajin e ardhshëm ne do të japim vlerësimin tonë se si ka ecur Shqipëria në përmbushjen e kritereve të nevojshme, si është punuar për realizimin e 12 prioriteteve kyçe të dhëna nga Komisioni Europian herën e fundit.
Cili është mendimi juaj për çështjen e kufizimit të imunitetit për deputetët dhe zyrtarët e lartë? Komisioni Europian kërkoi heqjen e tij. A e vonon mosmarrjen e statusit mosmiratimi i tij në Parlament?
Në lidhje me rëndësinë e çështjes së imunitetit, unë mund t’i referohem asaj çka komisioneri Stefan Fule diskutoi me ministrin e ri të Jashtëm shqiptar, Panariti, gjatë vizitës së tij të fundit në Bruksel. Komisonieri tha se rishikimi i sistemit të imunitetit do të ishte një hap i rëndësishëm, në drejtimin e duhur. Në këtë takim, z. Fule ka përmendur nevojën për dialog konstruktiv për reformën parlamentare, e cila nuk është realizuar ende, edhe pse ishte pjesë e marrëveshjes së nëntorit.
A mendoni se në Shqipëri ka një vullnet politik për bashkëpunim?
Nuk ka lidhje me atë se çka besojmë ne, por ka lidhje me atë që politikanët në vend janë në gjendje të arrijnë. Dhe Komisioni Europian, komisioneri Fule vazhdon t’u përsërisë partnerëve shqiptarë se ajo që është e rëndësishme dhe që Brukseli do të shohë është zbatimi i plotë i marrëveshjes politike të arritur në nëntor 2011. Kjo do të thotë që të vijohet konsensusi, dialogu dhe puna politike e të gjitha partive politike në axhendën europiane në mënyrë konsensuale dhe kjo është shumë e rëndësishme. Dhe siç tha edhe komisionieri (Fule) Shqipëria ka një perspektivë të vërtetë për progres drejt Europës, duke i ofruar vendit dorëzimin e prioriteteve kyçe. Pra, një nga gjërat më të rëndësishme është se si po vihet në jetë marrëveshja politike e nëntorit dhe sigurisht që nga Shqipëria pritet zbatimi i plotë. Sepse kjo nuk është diçka që i duhet Brukselit. Kjo është shumë e rëndësishme për vendin, për progresin e vendit dhe nga i cili nuk do të përfitojë Brukseli, por Shqipëria, dhe mbi të gjitha, që të përfitojnë qytetarët shqiptarë.
Lufta kundër korrupsionit është një ndër prioritetet kyçe të kërkuara nga Komisioni Europian. Si e vlerësoni punën e bërë deri tani në këtë drejtim?
Siç ju thashë, Komisioni Europian do të paraqesë raport-progresin e bërë nga Shqipëria në të gjitha fushat. Në këtë progres-raport do të vlerësohet se çfarë po bëhet, çfarë është bërë, çfarë është bërë shumë mirë, çfarë është bërë në mënyrë të tillë që ka hapësira për të bërë përmirësime. Komisioni Europian po shikon me shumë vëmendje çdo hap që është bërë në këtë drejtim, sepse ju e dini që sundimi i ligjit, pavarësia e sistemit gjyqësor, lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër korrupsionit janë shumë të rëndësishme për Bashkimin Europian. Prandaj ne shikojmë rezultatet në vendet që duan të anëtarësohen dhe kjo është arsyeja se pse ne e kemi vënë kaq shumë theksin në këtë fushë, që është pjesë e procesit të negocimit në kapitujt 23 dhe 24. Çka do të thotë që shtetet që aspirojnë të bëhen vende kandidate dhe të nisin negociatat duhet të jenë gati ta trajtojnë këtë çështje shumë thellë që nga nisja e procesit. Komisioni po i ndjek shumë nga afër dhe me vëmendje të madhe se çfarë po bën Shqipëria në këtë fushë e më pas do t’i publikojmë mendimet tona në progres-raportin e muajit të ardhshëm.
Sekreti – Asnjë nga zyrtarët e lartë të KE-së nuk e zbulon sekretin nëse Shqipëria do ta marrë ose jo këtë vit statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian.
Ndjesia – Zëdhënësi i komisionerit për zgjerim deklaroi se qytetarët shqiptarë janë të qartë për sjelljet e politikanëve të tyre karshi kërkesave të Komisionit Europian.
Raporti – Dokumenti paralajmërues për statusin e vendit kandidat është progres-raporti që KE harton në mënyrë të përvitshme për secilin nga vendet që kërkon integrimin në BE.
Simbolika – Marrja e statusit të vendit kandidat këtë vit do të kishte një simbolikë të veçantë për Shqipërinë nisur nga festimet për 100-vjetorin e shpalljes së vendit të pavarur.