Irani ka lëshuar kritika të ashpra ndaj Kanadasë pas vendimit të kësaj të fundit për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me të, duke mbyllur ambasadën e saj në Teheran.
Kanadaja tha se ky veprim është ndërmarrë për të protestuar kundër asaj që ky vend e sheh si ndihmë ushtarake iraniane për regjimin e presidentit të Sirisë, Bashar al-Asad, pastaj për shkak të refuzimit të Iranit për të respektuar rezolutat e OKB-së për programin atomik dhe për shkak të kërcënimeve të rregullta të liderëve iranianë kundër ekzistimit të Izraelit.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Iranit e ka akuzuar Kanadanë se është “nën ndikim të regjimit sionist”, që nënkupton Izraelin. Ky zëdhënës ka paralajmëruar “përgjigje adekuate” ndaj vendimit të Kanadasë për mbylljen e ambasadës së saj në Teheran dhe për dëbimin e diplomatëve iranianë nga Otava.
8 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)