Një vit pas vrasjes mafioze të gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë shpreh shqetësimin se nuk është bërë asgjë rreth zbardhjes së këtij akti kriminal.


“Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, në këtë përvjetor të vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi, konstaton me keqardhje të thellë e dëshpëruese se nuk është bërë asgjë rreth zbardhjes së këtij akti kriminal. Kjo përbën një ogur jo të mirë për drejtësinë, në veçanti dhe shoqërinë, në përgjithësi. Drejtësia humbi një gjyqtar të nderuar, të aftë e kurajoz; familja humbi njeriun më të dashur; ne gjyqtarët humbëm kolegun e shokun, ndërsa shoqëria mori një goditje domethënëse në sigurinë e saj në jetën e përditshme”, thuhet në njoftimi e shëprndarë për mediat.


Gjyqtarët i bëjnë thirrje autoriteteve përgjegjëse të intensifikojnë punën për zbulimin e autorëve të vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi apo urdhëruesve të saj, pasi: “kjo do të përbënte një ngushëllim për familjen e shoqërinë, por mbi të gjitha është mision e përgjegjësi për të sjellë më shumë shpresë për siguri publike dhe drejtësi të pavarur e të përgjegjshme në vend”.


Gjyqtari Skerdilajd Konomi, 33 vjeç, babai i dy fëmijëve u ekzekutua në qendër të Vlorës, me një atentat të tipit mafioz në 9 shtator të vitit 2011. Makina e tij shpërtheu nga një eksploziv i telekomanduar, ndërsa gjyqtari ishte në timon. Një nga pistat kryesore për ekzekutimin e tij mbetet çështja e pronave familjare që vetë gjyqtari po ndiqte. Deri në ditët e sotme nuk ka pasur asnjë person në pranga si të dyshuar për vrasjen apo një motiv zyrtar për ngjarjen, që tronditi opinionin publik dhe sistemin e drejtësisë në vend.


8 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)