Zëvendësndihmëssekretari Amerikan i Shtetit Philip Reeker, i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ka vizituar paraditen e së shtunës Uzinën e Lëndëve Plasëse në Mjekës të Elbasanit, ku është njohur nga afër me procesin e demontimit të armëve dhe mënyrën e funksionimit të uzinës.
Reeker ka garantuar vazhdimin e projekteve për demontime të mëtejshme të municioneve të tepërta, deri në përfundimin tërësor të tyre. Në fjalën e tij zyrtari Amerikan i Shtetit u shpreh se ndihet krenar që SHBA-ja ka dhënë kontributin e saj në drejtim të demilitarizimit të Shqipërisë, në raport në armët dhe municionet e trashëguara nga komunizmi.
“Shkatërrimi i këtyre municioneve të panevojshme e bën Shqipërinë dhe rajonin më të sigurt. Kështu që jemi shumë të lumtur që jemi partner dhe që kemi Shqipërinë si një aleate të NATO-s”, tha Reeker.
8 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)