Krimi


Hetuesit francezë njoftuan se një mosmarrëveshje familjare mbi pasurinë mund të jetë shkaku i vrasjes së një familjeje të tërë angleze, një krim që ndodhi në alpet e Francës.


Tre anëtarë të një familjeje, Saad al-Hilli, 50 vjeç, bashkëshortja e tij dhe kunata u vranë me një plumb në kokë pranë liqenit Anesi të mërkurën e shkuar. Një çiklist francez që besohet se mund të ketë qenë dëshmitar në ngjarje, u gjet gjithashtu i vrarë aty pranë. Sipas BBC, al-Hilli dhe i vëllai i tij mund të kenë një mosmarrëveshje mbi ndarjen e një pasurie të trashëguar. Trashëgimia përfshin një vilë në Spanjë. Viktima qe një inxhinier me karrierë të suksesshme dhe një jetë të qetë familjare. Vajza katërvjeçare e viktimës shpëtoi pasi qëndroi tetë orë në makinën ku u krye krimi e padalluar nga vrasësit dhe hetuesit, por që ishte shëndoshë e mirë. Vajza tjetër 7-vjeçare është në gjendje kome në spital. Të dyja vajzat janë vënë nën mbrojtjen e policisë dhe hetimet vijojnë.