Stadiumi do të jetë kuqezi, më i zjarrtë se në Tiranë
Asgjë dhe askush nuk mund ta ndalojë një luftëtar të luftojë sidomos kur bëhet fjalë për t’i dhënë fitoren vendit të tij. Këtu bëhet fjalë për Erion Bogdanin, “bomberi” që vulosi rezultatin e ndeshjes Shqipëri Qipro 3-1 me atë euro gol nga një distancë prej 30 metrash. Tashmë ai vuan për ndarjen nga jeta të gjyshes së tij. Por, trajneri është treguar një psikolog i zoti këtë herë, ai ia ka mbajtur të fshehtë Bogut këtë hidhërim familjar, i cili kishte ndodhur disa orë përpara nisjes së sfidës. Megjithatë, trajneri italian ia ka bërë të ditur lojtarit pas ndeshjes dhe sulmuesi në moment ka shpërthyer në lot. Dje, Bogdani, i cili është kryegolashënuesi i kombëtares kuqezi me 17 gola, ka përcjellë gjyshen në banesën e fundit, por ai nuk ka qenë vetëm. Përveç njerëzve më të afërt, ka qenë dhe kombëtarja, duke nisur nga punëtorët e fushave e deri te presidenti i FSHF-së, për t’i dhënë ngushëllimet më të sinqerta Erionit. Për sa i përket ndeshjes së dytë në Grupin E, ajo kundër Zvicrës, trajneri De Biazi sot do të nisë përgatitjet me grupin. Asnjë nuk do të mungojë për këtë përballje, edhe Bogdani do të jetë pjesë e grupit, madje dhe pjesë e formacionit. Paraditen e sotshme ekipi do të grumbullohet në Durrës, aty ku do të zhvillojë dy seanca stërvitore. Nesër në orët e para të mëngjesit do të bëhet nisja drejt Luçernës ku pasdite do të zhvillohet një seancë stërvitore në të njëjtin orar me atë të ndeshjes.
Formacioni
Zëvendësimet që sollën ndryshim rezultati në takimin e parë në grup kundër Qipros, këtë takim natyrisht që do të jenë në fushë. Të dhëna zyrtare nga kampi kuqezi bëjnë me dije se Bogdani dhe Çani do të luajnë nga minuta e parë në ndeshjen kundër Zvicrës. Ndërsa pjesa tjetër e formacionit nuk do të ketë ndryshime, as në mbrojtje dhe as në mesfushë. Megjithatë, këto janë të dhëna disa orë përpara takimit, ndërsa italiani ka në dorë të formulojë 11-shen më të mirë për të marrë rezultat pozitiv edhe në këtë takim, në mënyrë që të mbahet një nga dy vendet e para në grup.
Tifozët
Pikërisht në takimin Zvicër – Shqipëri, grupimi më i madh tifozerik në mbështetje të Kombëtares, “Tifozët Kuq e Zi”, kujtojnë datën e krijimit të tyre. Plot tetë vite në mbështetje të kombëtares në çdo sfidë, si brenda dhe jashtë vendit. Ata nuk do të jenë të paktë në “Suissprom Arena”, por plot 3 mijë vetë. Nisja do të bëhet sot nga Tirana dhe të martën gjatë gjithë ditës do të festohet 8-vjetori përpara hyrjes së stadiumit zviceran. Nga të dhëna jozyrtare mësohet se 10 mijë tifozë janë shqiptarë, pra vetëm 4 mijë vende mbeten për Zvicrën dhe pjesa tjetër do të jetë me aromë kuqezi.
Alban Meha
Mesfushori më i ri i Shqipërisë flet për eksperiencën e tij të parë me kombëtaren. Ai është shumë entuziast dhe thotë: “Një ditë dhe një natë e gëzueshme dhe e paharrueshme ishte loja për nënën Shqipëri. Vullnetin ma dhanë familja ime dhe “Tifozët Kuq e zi”!