Deklarata


Naftën e kërkon “Vetro Energy” nga Singapori


Amerikani me origjinë boshnjake, Essad Puskar, ka konfirmuar dje se oferta marramendëse prej 850 milionë eurosh për blerjen e “Albpetrol”-it nuk erdhi nga amerikanët e “Silk Road Equity”, por nga “Vetro Energy”, një kompani me aktivitet në fushën e naftës dhe gazit në tregjet e Kinës dhe Indisë.


Konfirmimi është bërë Puskar nëpërmjet e-mail-it për gazetën elektronike IDEA. Pas mungesës së informacionit zyrtar nga ana e Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës, dhe në kushtet e të dhënave konfuze rreth anëtarëve të konsorciumit dhe CV-ve të tyre në fushën e energjetikës, gazeta IDEA, iu drejtua përmes një e-mail-i kompanisë “SilkRoad Equity Ltd”, për të mësuar se cilët janë në të vërtetë ata që po blejnë pasurinë më të çmuar të ekonomisë kombëtare shqiptare.


Korrespondenca


E-mail-i u dërgua nga gazetarja Dorina Bilbili në adresën zyrtare që kompania kishte reklamuar në internet SilkRoad. [email protected],  me këtë tekst: “Unë jam një gazetare shqiptare, gazeta IDEA. Ju lutem mund të më jepni informacion nëse kompania juaj është e njëjta kompani që është duke blerë “Albpetrolin”-in në vendin tonë? A jeni ju të njëjtët me ‘Voltro SilkRoad Equity Ltd’.”


Përgjigjja nuk vonoi të vinte. Brenda pak më pak se një ore, ishte pikërisht Essad Puskar që u përgjigj nëpërmjet adresës së tij elektronike: “Ju lutem merrni parasysh se tenderi është bërë në emër të “Vetro Energy Pte Ltd”, dhe jo “Silk Road”. Ju lutemi të merrni të gjitha masat e duhura për të siguruar se ofertuesi është quajtur si duhet nën VETRO, kështu që nuk ka konfuzion. Shumë faleminderit…”


Përgjigjja e zotit Puskar përforcon deklaratën e dhënë prej tij për gazetën “Shqip”, menjëherë pas hapjes së ofertave, ku sqaroi se oferta vinte nga Singapori.


Ministria


Dokumentet e tenderit. Te ai zarf “fshihen” 850 milionë euro


Ndërkohë, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës nuk ka bërë ende publike të dhënat e kompanive që morën pjesë në tenderin për shitjen e kompanisë së vetme të naftës në Shqipëri. Dje pasdite, me anë të një deklarate për mediat, METE vetëm justifikoi mungesën e informacionit me çështje procedurash. “Komisioni i Posaçëm për Vlerësimin e Ofertave për Ankandin e Privatizimit të aksioneve të “Albpetrol” sh.a. po shqyrton dhe vlerëson të gjithë dokumentacionin e paraqitur nga kompanitë pjesëmarrëse në ankandin e privatizimit të aksioneve të kompanisë “Albpetrol” sh.a.


Gjithashtu, me përfundimin e këtij procesi shqyrtimi dhe në konsultim të vazhdueshëm me firmën amerikane të konsulencës “Patton Boggs”, do të bëhet edhe vlerësimi final për sa u takon ofertave të paraqitura në këtë ankand. METE, do t’ju informojë si zakonisht edhe në ditët në vazhdim në lidhje me ecurinë e këtij procesi deri në përfundimin e tij.”, thuhej në njoftimin për shtyp.


Amerikano-boshnjaku, njeriu që bëri ofertën bombë


Essad Puskar është një personazh kontrovers. Ai ishte njeriu në qendër të skandalit që shoqëroi zgjedhjen e Behxhet Pacollit President në Kuvendin e Kosovës në 22 shkurt të vitit të kaluar. Gjatë seancës për zgjedhjen e Pacollit ishte pikërisht ky individ që shërbente si ndërmjetës në komunikimet me mesazhe mes ish-ambasadorit amerikan në Prishtinë, Chris Dell dhe vetë zotit Pacolli. Po në Shqipëri, Puskar ka shërbyer si këshilltar i parë i një biznesmeni të njohur dhe po kaq kontrovers në fushën energjetike në vend, Rezart Taçi. Nga ana tjetër, zoti Puskar ka qenë mjaft aktiv në Baku muajt e fundit, me takime të nivelit të lartë dhe premtime për hapësira të reja investimi në Europë. Kjo lidhje mes zotit Puskar, zotit Taçi dhe Azerbajxhanit duket se po risjell në vëmendjen e publikut një skenar të ngjashëm të pak viteve më parë, kur qeveria shqiptare privatizoi pikërisht kompaninë ARMO. Edhe në atë kohë fillimisht u tha se blerësi ishte një kompani amerikane nga Teksasi, por që më vonë rezultoi të ishte Rezart Taçi. Nëse konfirmohet oferta dhe shpallet fituesi, mbetet për t’u parë se cili do të jetë pronari i vërtetë i ‘Albpetrol’ dhe nga do të vijnë paratë.


TCH