Kreu i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, dhe ai i Korçës, Niko Peleshi, i kanë kërkuar sot grupit kuvendor të PS-së të mos e votojnë aktin normativ për lirimin e banesave të pronareve të ligjshëm nga qytetaret e pastrehë.


Akti normativ do të shkojë të enjten për votim në Parlament, por sipas krerëve të dy bashkive të mëdha, Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar dy herë këtë projekt, ndërkohë që ky vendim i qeverisë, do të fuste në konflikt palët.


“Kërkojnë që të mos e votoni aktin normativ. Jo thjesht për kredo politike por detyrim ndaj qytetarëve që na kanë votuar, pasi kanë 2 vendimet e Gjykatës Kushtetuese që e ka rrëzuar këtë akt normativ. Të vish të sjellësh në parlament një akt që gjykata e ka rrëzuar përbën shkelje të rëndë. Grupi PS të mos e votojë por dhe të mbajë një qëndrim sa më të fortë. Janë shtëpi totalisht të amortizuara. Dhe banorët qëndrojnë sepse nuk kanë mundësi financiare të përballojnë shpenzime apo të marrin kredi. Është një zgjidhje e njëanshme që hap një problem të madh duke futur në konflikt të pazgjidhur të dy palët”,- deklaroi Vangjush Dako. Ai propozoi një zgjidhje “ti jepen falas të gjithë banorëve” ose “duke ndërtuar apartamente të reja për ta. Qeveria socialiste është në gjendje ta realizojë këtë projekte. Fatura financiare është totalisht e përballueshme”.


Ndërkohë, kryesocialisti Rama, duke folur në mbledhjen e grupit, theksoi se PS-ja nuk mund të lërë pa shqyrtuar këtë problem për një pjesë të shoqërisë, por theksoi se ka edhe një vizion për ish-pronarët “Garantoj të gjithë pronarët se PS-ja është e qartë dhe e prerë në vizion dhe në programin e saj për njohjen e të drejtave e tyre të mohuara për 20 vjet”,- theksoi Rama.


Komisioni Parlamentar i Ligjeve miratoi të martën, aktin normativ të qeverisë “Për lirimin e banesave të pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara” vetëm me votat e mazhorancës. Opozita, ndonëse parimisht ishte pro këtij akti normativ, votoi kundër me argumentin se mënyra juridike që është zgjedhur për t’i dhënë drejtim këtij problemi 20-vjeçar është jo kushtetuese. Sipas këtij akti normative, deri në datën 1 nëntor, 3289 persona që banojnë në shtëpitë e pronarëve të ligjshëm duhet të ndjekin në mënyrë të përshpejtuar të gjitha procedurat për të përfituar kredi me interes 0% për një afat deri në 30 vjet. Enti Kombëtar i Banesave dorëzoi para pak ditësh pranë Bankës Kombëtare Tregtare listën e të gjithë personave që banojnë në shtëpitë e ish-pronarëve dhe që përfitojnë kredi me interes zero për një afat deri në 30 vjet për të zgjidhur problemin e strehimit te tyre dhe për të liruar ambientet ku banojnë aktualisht. Konkretisht, lista përmbante peshën kryesore nga Bashkia Tiranë, me 908 raste, duke vijuar me atë të Durrësit me 869 raste dhe të Shkodrës me 605 të tilla në total.


11 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)