Kryesocialisti takime në Durrës me përfaqësues të biznesit 


Partia Socialiste në qeveri, vetëm pas 10 muajsh, do të heqë taksën e biznesit të vogël. Ka qenë ky një prej angazhimeve të rëndësishme që Edi Rama ka marrë përballë përfaqësuesve të biznesit të vogël në qytetin e Durrësit. Ky është premtimi i bërë nga lideri i opozitës, ku me ardhjen në pushtet, PS-ja angazhohet të heqë taksën e biznesit të vogël. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, takoi dje tregtarë të vegjël në qytetin e Durrësit. I shoqëruar nga kryetari i bashkisë së këtij qyteti, Vangjush Dako, si dhe nga deputetët e këtij qarku, kryesocialisti Rama është ndalur në zonën e tregut të qytetit, ku ka takuar mjaft tregtarë të vegjël, me të cilët ka diskutuar mbi një pikë të rëndësishme të programit të PS-së, që lidhet drejtpërdrejt me ta. Duke diskutuar me ta mbi problemet dhe krizën ekonomike që ka prekur edhe biznesin e vogël, ai i ka njohur ata me angazhimin e partisë që drejton për të hequr taksën për biznesin e vogël, menjëherë sapo PS-ja të vijë në pushtet. Në këto takime me biznesmenë të vegjël të Durrësit, Rama nuk është shoqëruar nga media lokale. Lideri i Partisë Socialiste ka shprehur vendosmërinë e tij për të rilindur ekonominë e vendit dhe atë të çdo familjeje shqiptare dhe e ka konsideruar të patolerueshme rënien e fuqisë blerëse në vend. Ai tregoi edhe angazhimin e parë konkret dhe direkt për biznesin e vogël. “Do të heqim taksën e biznesit të vogël”. Ky është një nga angazhimet e PS-së, i shkruar në programin “Për një rilindje shqiptare”. “Përtej krizës së përgjithshme, problem themelor në këtë sistem padrejtësie është se rëndesën më të madhe me taksa e ka biznesi i vogël. Nga premtimi për përgjysmim të taksave, biznesi i vogël sot paguan tri herë më shumë taksa. I paguan edhe bashkisë, edhe qeverisë, edhe tatim për të ardhurat, edhe TVSH. Me këtë sistem taksimi është e pamundur që biznesi i vogël të mbijetojë. Unë kam shumë kënaqësi t’ju them, që lajmi i parë nga programi ynë i ri është që ne do ta heqim taksën e biznesit të vogël. Do ta heqim taksën e biznesit të vogël dhe, nga ana tjetër, do të bëjmë të mundur që biznesi i vogël që fiton më pak të paguajë më pak dhe biznesi i madh që fiton më shumë të paguajë më shumë. Historia që dikush lufton për bukën e gojës, dikush fiton miliarda në muaj dhe të gjithë paguajnë njësoj, do të thotë që në fakt ata që fitojnë më pak, paguajnë më shumë, ata që fitojnë më shumë paguajnë më pak”, theksoi Rama. Kreu i PS-së shtoi se “heqja e taksës së biznesit të vogël dhe nxitja e biznesit të vogël është një nga hapat më të rëndësishëm që ne do të hedhim për ta rilindur ekonominë dhe për t’i dhënë mundësi ekonomisë familjare që të fillojë të marrë frymë. Kudo ku shkojmë dhe këdo që takojmë dëgjojmë të njëjtën gjë, ka rënë fuqia blerëse, ka rënë konsumi, fitojmë shumë më pak se dje, paguajmë shumë më shumë se dje. Kjo është e patolerueshme. Kjo situatë është në qendrat e rëndësishme ekonomike të vendit, në Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë, pa llogaritur qytetet më të vogla ku varfëria është ulur këmbëkryq, ku papunësia është gjithandej, si dhe ku praktikisht biznesi i vogël është mbijetesë në kushte ekstreme”.


Pak më vonë, kryetari Rama, në një mesazh të publikuar në rrjetin social “Twitter” duke treguar për këto takime dhe shqetësimin e tregtarëve, ka thënë se kryefjalë e programit të ri të PS-së është rritja e fuqisë blerëse në vend. “Sali Berisha ju thotë se socialistët duan t’ju rrisin taksat! Gënjeshtër! Ne do t’i ulim taksat dhe do të rrisim fuqinë blerëse për 95 për qind të shqiptarëve. Kryefjala e çdo opinioni që dëgjova nga tregtarët durrsakë: Ka rënë shumë fuqia blerëse! Kryefjala e programit tonë: Rritja e fuqisë blerëse”, shkruan lideri socialist Rama.


V.Q.


 


900 mijë lekë – Dëshmitë e atyre që tregtojnë mallra ushqimore janë rrëqethëse. Lista borxhesh që shkojnë deri në 900 mijë lekë të reja


Pamundësia – Tregtarët ngrenë duart dhe i dëshmojnë Edi Ramës pamundësinë për të vazhduar dhënien e ushqimeve pa para në duar


Falimentimi – Tregtarët shprehen se prej borxheve të mëdha që blerësit kanë, të cilat shkojnë në miliona lekë, mund të rrezikojnë falimentimin