Plagosja – Toshi u plagos në këmbë të shtunën, nga një punonjës i ruajtjes fizike, pasi po shkatërronte disa makina në një parking privat
Veshi – Rexhep Toshi kishte dokument në emër të Ylind Iftit, me të cilin ngjasonte, por Ifti i vërtetë e kishte njërin vesh më të shkurtër
Arratisja – Gjatë qëndrimit në Spitalin Ushtarak, i dënuari me 24 vjet burg për vrasje ka tentuar dy herë t’u arratiset forcave të policisë
Dënimet – I arrestuari rezulton i dënuar për vrasje në Shqipëri, ndërsa në Greqi është dënuar me 12 vjet të tjera burg për trafik droge
E plagos roja private, kapet rastësisht i arratisuri nga burgu
Bledi Gilaj
Ai kishte arritur të vidhte identitetin e një emigranti, me të cilin kishte ngjashmëri dhe të jetonte i lirë në Shqipëri, pavarësisht se rezultonte i dënuar me 24 vjet burg për vrasje në Korçë, i arratisur nga burgu dhe i kërkuar edhe nga drejtësia helene. Megjithatë, atë e ka tradhtuar veshi, pasi personi të cilit i kishte vjedhur identitetin e kishte njërin vesh më të shkurtër se tjetrin, ndërsa i kërkuari i policisë i kishte dy veshët njëlloj. Bëhet fjalë për personin e plagosur në këmbë të shtunën pasdite nga përgjegjësi i rojeve të një policie private në Tiranë, ngjarje e ndodhur në një parking, pranë vendit të quajtur “mbikalimi i Kamzës”. Fillimisht, ai u prezantua me emrin Ylind Ifti, me origjinë nga Përmeti, ku ishte pajisur edhe me dokumentin përkatës, por më vonë rezultoi se ai ishte Rexhep Toshi nga Korça, i kërkuar për vrasje në vitin 1996, i cili ishte arratisur nga burgu në vitin 1997.
Policia tha se ka qenë rastësore plagosja e tij, por që më vonë janë vënë në dyshim dhe janë hetuar veprimet e tij, derisa është bërë edhe verifikimi i shenjave të gishtave, që kanë sjellë identitetin e vërtetë të tij. Historia e tij zë fill të shtunën pasdite, kur një person i dhunshëm kishte shkatërruar disa makina në një parking privat, ndërkohë që përgjegjësi i rojeve të kompanisë së sigurisë fizike e plagosi të dyshuarin në këmbë, me qëllim për ta neutralizuar. Atë ditë, policia tha se u ndalua autori i plagosjes, Besnik Ismailgeci, ndërkohë që i dëmtuari u identifikua paraprakisht si Ylind Ifti, 38 vjeç, lindur në Përmet dhe banues në Tiranë. Në këto kushte, i dëmtuari paraqiti edhe mjetin e identifikimit, kur ishte i shtruar në Spitalin Ushtarak. Por, grupi hetimor nga seksioni kundër krimeve ndaj jetës dhe shëndetit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ka dyshuar te sjellja e tij, i cili ka tentuar dy herë të largohet nga spitali pa njoftuar njeri. Madje, ai ka dashur t’i ikë fshehurazi edhe policisë. Në këto kushte, policia ka futur në sistemin e saj të kontrollit emrin Ylind Ifti. Gjatë verifikimit ka rezultuar se personi i plagosur kishte ngjashmëri të shumta me Iftin, por që u ka rënë në sy një detaj. Ifti kishte njërin vesh më të shkurtër se tjetrin. Këtu kanë nisur dyshimet, ndërkohë që me veprime të tjera hetimore është kërkuar që të kontaktohet me Iftin, por ai rezultonte jashtë shtetit. Duke u nisur nga kjo situatë, grupi hetimor i seksionit të vrasjeve ka kërkuar që t’i bëhen verifikimet për shenjat e gishtave të dyshuarit, pasi kishte prova të forta se ai nuk ishte Ylind Ifti. Gjithashtu, i plagosuri është mbajtur nën vëzhgim edhe te Spitali Ushtarak, ku është vënë re se personat që e takonin nuk kishin lidhje farefisnore me emrin e pretenduar në polici nga i dëmtuari.
Me urdhër të prokurorit, policia ka marrë shenjat e gishtave të 38-vjeçarit, i cili nuk ka dashur t’i japë. Në këto kushte, gjatë kontrollit në laborator ka rezultuar se ato përputheshin me gjurmët e Rexhep Toshit, të shpallur në kërkim për vrasje në vitin 1996 në Shqipëri, si dhe për trafik droge në Greqi. Toshi është akuzuar dhe dënuar me 24 vite burg për vrasjen e 37-vjeçarit Shkëlqim Pengu në Korçë. Ngjarja ndodhi në vitin 1996, pas një grindjeje banale mes tyre në një bilardo. Toshi u arrestua në atë kohë nga policia, por shleu vetëm 1 vit burg, duke përfituar nga hapja e burgjeve gjatë trazirave të vitit 1997. Prej asaj kohe, Toshi ka jetuar në arrati në Greqi dhe në Shqipëri, ndërkohë që vitet e fundit mendohet se ai ka paguar para për të vjedhur identitetin e një tjetri, me qëllim që t’i shpëtojë përgjithmonë drejtësisë. Nga ana tjetër, ai është dënuar me 12 vjet burg në Greqi, ndërkohë që edhe atje mësohet se ka kryer vetëm shtatë prej tyre, pasi është arratisur. Sipas policisë, Toshi dyshohet të jetë strehuar vitet e fundit me emra të rremë në Tiranë ndoshta duke përfituar edhe nga ndihma e vëllezërve që jetojnë në kryeqytet.
Krimi në Korçë
Toshi është akuzuar dhe dënuar me 24 vite burg për vrasjen e 37-vjeçarit Shkëlqim Pengu në Korçë. Ngjarja ndodhi në vitin 1996, pas një grindjeje banale mes tyre në një bilardo