“Les cent vues de Paris” i ishte dhuruar italianes Aurelia Poselli, nënës së Terrusit më 21.08.1930 nga Enver Hoxha në shenjë simpatie gjatë viteve që jetonin në Gjirokastër. Ajo e refuzoi dashurinë e tij dhe kjo shkaktoi zemërimin dhe hakmarrjen e tij ndaj familjes Terrusi. Libri mban një dedikim të Hoxhës për Aurelian dhe do t’i dorëzohet nesër Arkivit të Shtetit


“Ia dhuroi mamasë sime në shenjë dashurie”


Oliverta Lila


Aldo Renato Terrusi ritorno al paese delle aquileAldo Renato Terrusi rikthehet në Shqipëri brenda pak muajsh. Këtë herë jo për të promovuar librin e tij “Rikthim në vendin e shqiponjave”, por për të dhuruar. Do t’i dorëzojë Arkivit të Shtetit një libër që Enver Hoxha ia kishte dhuruar në vitin 1930 nënës së tij, Aurelias, me dedikim. Ceremonia do të zhvillohet nesër, në orën 12.00, në sallën e leximit në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave në bashkëpunim me Ambasadën Italiane dhe Institutin e Krimeve të Komunizmit. “Les cent vues de Paris” i ishte dhuruar znj. Aurelia Poselli, nënës së Terrusit më 21.08.1930 nga Enver Hoxha në shenjë simpatie gjatë viteve që jetonin në Gjirokastër. Refuzimi i Aurelias për t’iu përgjigjur dashurisë së tij dhe martesa e saj me z. Giuseppe Terrusi, drejtor i bankës italo-shqiptare në Vlorë, sipas Aldos, shkaktoi tragjedinë familjare në vitet në vazhdim. Hoxha u hakmor ndaj familjes Terrusi duke burgosur të atin pa asnjë akuzë të qenësishme fillimisht në Vlorë e më pas në Burgun e Burrelit, ku edhe ndërroi jetë në vitin 1952. Terrusi e sheh të natyrshme që një libër i tillë të qëndrojë në Arkivin e Shtetit në Shqipëri, ndonëse për të ka përfaqësuar një lidhje të vazhdueshme të familjes së tij me vendin tonë, në të cilin pësuan dhimbje të mëdha. Në njoftimin për shtyp të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave thuhet se “Dhurimi i librit, për më tepër në këtë vit festimesh për 100-vjetorin e Pavarësisë, simbolizon vlerësimin e rëndësishëm të kujtesës, ku disa dokumente mbeten në kujtesën kolektive dhe shërbejnë si paralajmërim për të rinjtë, në mënyrë që diktaturat mos të përsëriten asnjëherë. Aldo Renato Terrusi u bë i njohur për publikun shqiptar me librin e tij “Rikthim në vendin e shqiponjave”, i botuar italisht nga “Besa” e që pritet të përkthehet së shpejti në shqip nga Instituti i Krimeve të Komunizmit.


Zoti Terrusi, riktheheni në Shqipëri, por këtë herë për të dhuruar në Arkivin e Shtetit librin “Les cent vues de Paris” që Enver Hoxha ia ka dhuruar nënës suaj. Pse vendosët ta dhuroni?


Më duket e drejtë që një dokument “historik” mbi çështje të Shqipërisë të kthehet atje ku ka vendin, ndaj edhe vendimi për mua nuk ka qenë i vështirë.


Cila është historia e këtij libri?


Thjesht i është dhuruar nënës sime në vitin 1930 nga Enver Hoxha gjatë kohës që janë njohur në Gjirokastër.


A ju ka folur nëna juaj për këtë libër, për bisedën që mund të jetë bërë?


Jo, nuk më ka treguar asgjë më shumë se faktit që ia ka dhuruar Enver Hoxha gjatë kohës që i vinte vërdallë. Siç dihet tashmë, historinë e dashurisë së tij për nënën time dhe më pas hakmarrjen ndaj familjes sonë e kam treguar në librin “Rikthim në vendin e shqiponjave”, të cilin e prezantova edhe në Tiranë.


A ka një dedikim në faqet e tij?


Po, është shkruar: “Një kujtim miqësie, Enver Hoxha (është firmosur nga ai), student i mjekësisë, Gjirokastër, 21.VIII 1930”.


Çfarë ka përfaqësuar për ju ky libër?


Është një kujtim i lidhjes së fortë që ka pasur familja ime, në të mirë e në të keqe me Shqipërinë.


A ka të tjera dhurata të Enver Hoxhës në shtëpinë tuaj?


Jo, ishte vetëm ky libër.


Më parë libri “Rikthim në vendin e shqiponjave” e tashmë ky akt dhurimi. Ju bëjnë të gjitha këto të ndiheni më afër Shqipërisë?


Sigurisht. Për mua Shqipëria është një atdhe i dytë. Siç e dini unë kam lindur në Vlorë e pikërisht në bankën në të cilën babai im ishte drejtor në vitin 1945.


 


 


Rrëfimi


Historia e dashurisë së Hoxhës për italianen Aurelia


Historia e dashurisë që Enver Hoxha kishte pasur për Aurelia Posellin në vitet ’30 u bë e njohur rreth një vit më parë përmes librit që Aldo Renato Terrusi kishte shkruar për familjen e tij. Djali i vetëm i Aurelias dhe Giussepes, drejtor i bankës italo-shqiptare në Vlorë, rrëfen kalvarin e vuajtjeve që pësoi familja e tij në regjimin e porsavendosur të Enver Hoxhës: burgosja e të atit më 1945-n në Burgun e Burrelit, vdekja e tij po në atë burg më 1952-shin, kthimi me vështirësi në Itali dhe mungesa e një varri për të atin. Gjithçka sipas Terrusit kishte ndodhur si një hakmarrje e Enver Hoxhës ndaj refuzimit që e ëma i kishte bërë dashurisë së tij. “Nëna ime, Aurelia, kishte njohur Enver Hoxhën, që atëkohë jetonte në Gjirokastër. Enveri ishte dashuruar me nënën time dhe donte të fejohej me të me çdo kusht. Nëna ime kishte pranuar miqësinë me të, por jo fejesën. Pas kthimit të Enverit nga një prej udhëtimeve të tij prej Parisit, miqësia u ndërpre. Aurelia u fejua në Gjirokastër e u martua me tim atë, më 1936-n në Sarandë. Enveri u ndie shumë keq dhe premtoi se do të hakmerrej. Sapo iu dha mundësia, si komandat dhe në rrethana lufte, e dërgoi në burg babanë tim, Giuseppe-n, që në atë moment, më 1945-n, ishte drejtor i Bankës Italo-Shqiptare të Vlorës, me akuzën se kishte vjedhur paratë e popullit shqiptar. Jo personalisht, por përmes veprimeve bankare. Ishin të gjitha akuza false, për të cilat nuk u gjendën dëshmitarë të besueshëm”, ka thënë Terrusi në një intervistë të mëparshme për gazetën “Shqip”. Pas 44 vjetësh, bashkë me xhaxhain e tij, Giacomo, u rikthye në Shqipëri për të hapur faqet e së shkuarës e për të gjetur eshtrat e të atit, të cilat edhe sot nuk i ka riatdhesuar.


 


Biografi


Aldo Renato Terrusi u lind në Vlorë më 1945-n. Në vitin 1949, pas shumë përpjekjesh mundën të riatdhesohen në Itali së bashku me nënën. Rikthehet në Shqipëri për herë të parë mbas 44 vjetësh, në vitin 1993, i shoqëruar nga daja i tij Giacomo Poselli, ish-portier i kombëtares, fituese e Ballkaniadës të 1946-s, për të kërkuar të shkuarën e familjes së tij dhe për të gjetur eshtrat e të atit, të cilat deri më sot nuk i ka riatdhesuar.