Kaos dhe bllokime të mbledhjes nga demokratët në mbledhjen e Komisionit të Integrimit


Dy nismat e qeverisë për kontrollin e dhuratave të politikanëve shkaktojnë përplasje të mëdha në Komisionin Parlamentar të Integrimit. Kaosi në mbledhjen e Komisionit të Integrimit erdhi nga qëndrimi i deputetëve të mazhorancës, të cilët kërkuan mosvazhdimin e debatit për dy nismat ligjore “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksionimeve publike” dhe “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”. “Sipas projektligjit që na propozoni, ai zyrtari i korruptuar i ndan shpenzimet e tij nën 5 milionë lekë dhe nuk hyn në klauzolën e shkronjës së nenit 3. Duhet bërë çdo shpenzim mbi 500 mijë lekë të vjetra. Një qytetar shqiptar që merr 500 lekë në vit i deklaron të gjitha, ndërkohë që një politikan që merr 1 ose 2 milionë lekë në muaj, u dashka të deklarojë shpenzime mbi 5 milionë lekë. Turp i madh! Turp i madh që na e sillni ne si deputet dhe turp i madh për ata që na e sjellin nga qeveria. Uleni këtë shumë. Të deklarojë çdo politikan i lartë në këtë qeveri çdo kafe që pi. Ndryshe nuk luftohet korrupsioni”, tha deputeti i PS-së, Taulant Balla. Pas një replike me deputeten Mesila Doda për “kolltukët”, debati është hapur për çështjen e imunitetit. “Do të ishte e mirë që në fillim të votonim për heqjen e imunitetit dhe opozita të jepte votën e saj”, tha demokrati Gert Bogdani. Pas kësaj, replikoi Balla, i cili u shpreh se “unë jam pa imunitet”. “Edhe ne e kemi hequr imunitetin kemi shprehur vullnetin, ti e ke hequr vetëm për një çështje. Ty ta kanë hequr Taulant, ne e kemi dorëzuar vetë”, replikoi deputeti i PD-së, Sherefedin Shehu. Ndërsa kundërreplika erdhi nga socialisti Marko Bello, i cili u shpreh se “ai veprim i PD-së është një nul ligjor”. “Po i bëj thirrje publike kryeinspektorit që mjafton të shkojë në Shtefanplatz fundjavave dhe do të shohë çerekun e gjykatësve shqiptarë, apo treçerekun e politikanëve, marka makinash që janë të vitit 2011, apo 2012, të deklaruar me një shifër totalisht të ndryshme nga ajo që është vlera e tregut”, u shpreh Ditmir Bushati, deputet i PS-së, kryetar i Komisionit të Integrimit. Po situata precipitoi në momentin kur deputetja e PD-së, Mesila Doda i kërkoi ekspertëve të institucioneve të mos jepnin shpjegim mbi mënyrën e ndryshimit të gjobave në krahasim me ligjin e mëparshëm. Në mënyrë të papritur ajo kërkoi votimin e draftit, duke akuzuar njëherësh dhe kryekomisionerin Bushati për fshehje të materialeve shkresore të paraqitura nga Kuvendi. Pas këtij votimi të njëanshëm, ku Doda e cilësoi të kryer procesin, deputetët e mazhorancës u ngritën dhe braktisën mbledhjen. Bushati kërkoi ndërprerjen e mbledhjes për ta rifilluar pas disa minutash. Më pas dy draftet u votuan në tërësi si nga pozita ashtu dhe nga opozita. B.H


 


Ligji – Ndryshimet në ligj parashikojnë rritjen e numrit të zyrtarëve që i nënshtrohen kontrollit të pasurisë dhe deklarimin e shpenzimeve mbi 500 mijë lekë


Deklarimi – Politikanët dhe zyrtarët e lartë duhet të deklarojnë veç pasurive dhe të ardhurave të tyre, edhe shpenzimet për arsim, mjekim, pushime, apo arredim banese, kur ky shpenzim arrin mbi 500 mijë lekë të reja